"Ata të cilët besuan dhe bënë vepra të mira, do të jenë në kopshtet e xheneteve dhe ata kanë te Zoti i tyre çfarë të dëshirojnë; e kjo është ajo dhuntia e madhe." (Esh-shura, 22)
Allahu ka përgatitur në Xhenet për robërit e Tij të mirë atë çka syri s'e ka parë, veshi s'e ka dëgjuar dhe as mendja s'e ka menduar.
E pra, në Xhenet do të kenë hyri të cilat do jenë si xhevahiri dhe diamanti, bardhoshe që do e kenë të kufizuar qëndrimin veç në shtëpitë e tyre. Ato nuk i ka prekur dikush para tyre, as njerëzit dhe as xhinët. Aty do t'u jepet të pinë verë me enë të mbyllura. Pije që në fund i vjen era misk nëpër banesa e kështjella të qeta e të rehatshme në xhenetet e larta të Adnit. Do jenë të mbështetur në mbështetëse të gjelbra e shtroje të bukura dhe mbi shtretër të mbuluar me kadife të trashë. Rrobat e tyre janë prej mëndafshi.
Aty do të stolisen me byzylykë të artë e me argjend. Dheu do jetë i përbërë me margaritarë e gurë të çmuar. Kush hyn aty nuk vdes kurrë. Rrobat nuk i vjetrohen, rinia nuk i kalon dhe do të kenë çfarë të dëshirojnë pa mbarim e në amshim. Do të shikojnë në Fytyrën e Sunduesit, Bujarit dhe fytyrat e tyre do të shndrijnë nga mirësitë e shumta që përjetojnë.
Ushqimi i banorëve të xhenetit është i larmishëm, me fruta të shumtë, shpend të majmë, rrëshirë të ëmbël, mjaltë, qumësht e shumë lloje të tjera të panumërta. Mirësia më e lartë dhe më e madhe në xhenet është kënaqësia e përhershme e Zotit, shikimi në Të, dëgjimi i selamit dhe fjalës së Tij si dhe prehja e përhershme në audiencën hyjnore.
Nga: "Kumtesa e udhëtimit". Mustafa Tërniqi