Themeli i parë: Që robi ta njohë Zotin e tij.
Themeli i dytë: Që robi ta njohë fenë e tij.
Themeli i tretë: Që robi ta njohë pejgamberin e tij, Muhamedin, sal-lallahu alejhi ue sel-lem.
Këto themele janë tri pyetjet që do t’i bëhen njeriut në varr.
Themeli i parë: Njohja e Zotit:
Këtu hyjnë disa çështje:
1. Se Allahu është Zoti ynë, i Cili na mbikëqyr ne dhe të gjitha krijesat me begatitë e Tij.
2. Se Allahu i Lartësuar është i vetmi që meriton adhurimin.
3. Se Allahun e njohim përmes ajeteve (shenjave, argumenteve) të Tij dhe përmes krijesave të Tij madhështore.
Prej ajeteve të Tij janë: nata, dita, Dielli dhe Hëna.
Prej krijesave të tij janë: shtatë qiejt dhe shtatë tokat dhe çdo gjë që gjendet mes tyre.
Themeli i dytë: Njohja e fesë:
Këtu hyjnë disa çështje:
1. Feja e vetme që e pranon Allahu është Islami.
2. Islami është: Dorëzimi ndaj Allahut me teuhid, nënshtrimi ndaj Tij me bindje dhe shmangia nga shirku dhe ithtarët e tij.
3. Shkallët e fesë janë tri: Islami, imani dhe ihsani.
Themeli i tretë: Njohja e pejgamberit Muhamed, sal-lallahu alejhi ue sel-lem:
Këtu hyjnë disa çështje:
1. Emri i pejgamberit dhe prejardhja e tij:
Ai është Muhamed ibën Abdullah ibën Abdul-Muttalib ibën Hashim-i, ndërsa Hashimi është nga fisi kurejsh, kurse kurejshët janë arabë dhe arabët janë pasardhës të Ismailit, të birit të Ibrahimit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi ta.
2. Mosha e tij:
Ai jetoi gjashtëdhjetë e tri vjet; dyzet vjet para pejgamberllëkut, kurse njëzet e tri vjet si pejgamber, i dërguar.
3. Pejgamberllëku dhe dërgimi i tij:
U bë nebij (pejgamber) me fjalën kuranore “ikra’” (lexo), kurse u bë resul (i dërguar) me fjalën “el-muddeththir” (i mbështjellë).
4. Vendi i tij dhe emigrimi:
Vendi i tij është Meka, kurse vendi ku emigroi është Medineja.
5. Çështja në të cilën thirrte ai:
Allahu e dërgoi atë për t’na tërhequr vërejtjen nga shirku dhe për të thirrur në teuhid.
Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com