Kufri (mohimi, mosbesimi)

Përkufizimi i fjalës “kufër”:

Gjuhësisht fjala kufër domethënë: mbulim.

Kurse në terminologjinë fetare kufër domethënë: e kundërta e Islamit.

Llojet e Kufrit:

Kufri është dy llojesh:

1. Kufër i madh.

2. Kufër i vogël.

Kufri i madh:

a. Përkufizimi:

Mosbesimi në Allahun dhe të dërguarit e Tij, pa marrë parasysh a është i shoqëruar ky mosbesim me përgënjeshtrim a jo.

b. Norma për të:

Ky lloj i kufrit e nxjerr njeriun nga feja.

c. Llojet e tij:

Kufri i madh është pesë llojesh:

1. Kufri i përgënjeshtrimit:

Argument për këtë është thënia e Allahut: “Kush është keqbërës më i madh se ai që trillon gënjeshtra kundër Allahut ose mohon të vërtetën që i ka ardhur?! Vallë, a nuk është Xhehenemi vend për jobesimtarët?!”1

2. Kufri i kundërshtimit dhe mendjemadhësisë edhe përkundër besimit:

Argument për këtë është thënia e Allahut: “Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i kundërshtoi, u tregua mendjemadh dhe u bë mosbesimtar.”2

3. Kufri i dyshimit:

Argument për këtë është thënia e Allahut: “Pastaj hyri në kopshtin e vet dhe, duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: “Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë dhe nuk mendoj se do të arrijë ndonjëherë Ora (e Kiametit). Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopsht)”! Shoku i tij i tha, duke biseduar me të: “A po e mohon ti Atë, i Cili të ka krijuar nga dheu, pastaj nga pika e farës dhe të bëri më në fund njeri të plotë?! Sa për mua, unë besoj se Allahu është Zoti im dhe Zotit tim unë nuk i shoqëroj askënd (në adhurim).”3

4. Kufri i kthimit të shpinës:

Argument për këtë është thënia e Allahut: “Ne i kemi krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet midis tyre me qëllim të plotë dhe me afat të caktuar. E megjithatë, mohuesit shmangen nga ajo që u është paralajmëruar.”4

5. Kufri i nifakut (dyfytyrësisë):

Argument për këtë është thënia e Allahut: “Kjo, sepse ata fillimisht besuan, pastaj mohuan, kështu që zemrat e tyre u vulosën dhe si pasojë ata nuk kuptojnë më.”5

Kufri i vogël:

a. Përkufizimi:

Kufër i vogël është çdo gjynah që në Kuran dhe sunet është quajtur kufër por nuk ka arritur shkallën e kufrit të madh.

b. Norma për të:

Ky kufër është haram dhe prej mëkateve më të mëdha, mirëpo nuk e nxjerr njeriun nga feja.

c. Shembuj të kufrit të vogël:

1. Kufri i begative: Allahu i Madhërishëm thotë: “Allahu e ka bërë shembull qytetin (e Mekës), i cili ishte i sigurt dhe i qetë. Atij i arrinin ushqime të bollshme nga të gjitha anët, por pastaj banorët e tij i mohuan dhuntitë e Allahut dhe Ai i bëri të shijojnë urinë dhe frikën, si ndëshkim për atë që bënë.”6

2. Kur muslimani e lufton muslimanin: I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të thoshte: “Sharja e muslimanit është fisk (shmangie nga bindja ndaj Allahut), kurse luftimi kundër tij është kufër.” [Muttefekun alejhi].

3. Përçmimi i tjetrit për shkak të prejardhjes.

4. Vajtimi për të vdekurin: I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të thoshte: “Dy gjëra që i bëjnë njerëzit janë kufër: përçmimi i tjetrit për shkak të prejardhjes dhe vajtimi për të vdekurin.” [Muslimi].

 

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl

Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

 

1. Sureja el-ankebutë 68.
2. Sureja el-bekare 34.
3. Sureja el-kehf 35-38.
4. Sureja el-ahkafë 3.
5. Sureja el-munafikunë 3.
6. Sureja en-nahël 112.


Revista Shembulli