Për agjëruesin (13)

Ajet Kuranor:

Allahu i Madhërishëm thotë:

Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik. [Kuran 25: 27, 28]

Hadith:

I Dërguari i Allahut, Muhammedi, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të vet, kështu që shikoni se me kë po shoqëroheni!”[1]

Gjurmë:

Shekiku thoshte: “Shoqërohu me njerëzit siç shoqërohesh me zjarrin, përfiton nga ai, duke u ruajtur të të mos djegë.”

Poezi:

Mos e shiko personin, por kë e shoqëron,

Sepse çdo njeri shokun e tij pason.

Zgjidhe për shoqërim atë që është më i mirë,

E mos e shoqëro të keqin të biesh në mynxyrë.

Mesazh:

El-Ahnef ibën Kajsi i shkroi një mikut të tij: “Kur ta gjesh shokun e përshtatshëm ruaje si sytë e ballit, sepse shoku i përshtatshëm është më i mirë se fëmija i papërshtatshëm, ngase Allahu i Lartësuar i tha Nuhut, paqja e Allahut qoftë mbi të, për të birin e tij: “O Nuh, ai nuk është nga familja jote, ai ka bërë punë të keqe.” [Kuran 11:46]”


Shkëputur nga libri: “Jeumijat saimeh” (Hakibetu saimat) – të autorëve dr. Adil Esh-Shiddi dhe dr. Ahmed El-Mezjed

Përktheu: Jusuf H. Kastrati – Shembulli.com



[1] Këtë hadith e shënon Tirmidhiu.