Besimi në të dërguar

Domethënia e besimit në të dërguar:

Kjo do të thotë të besosh se Allahu ka dërguar pejgamberë dhe të dërguar ta thërrasin njerëzimin në atë që iu bën dobi atyre në këtë dhe botën tjetër, të cilët janë të vërtetë në të gjitha lajmërimet e tyre. Ata kumtuan shpalljet dhe këshilluan popujt e tyre, i udhëzuan ata në çdo të mirë dhe ua tërhoqën vërejtjen nga çdo e keqe. Atë që i pasoi e përgëzuan me xhenet, kurse atë që i refuzoi dhe kundërshtoi urdhrat e tyre e paralajmëruan nga zjarri. I Lartmadhërishmi thotë:

رُّسُلاً مُّبَشِّرِينَ وَمُنذِرِينَ لِئَلاَّ يَكُونَ لِلنَّاسِ عَلَى اللّهِ حُجَّةٌ بَعْدَ الرُّسُلِ

Të dërguar që ishin lajmgëzues e kërcënues, ashtu që pas dërgimit të të dërguarve njerëzit të mos kenë fakt (arsyetim) para Allahut.[1]

Jemi të detyruar të besojmë në mënyrë të hollësishme në të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit që janë përmendur në Kur'an dhe të besojmë se ka pasur edhe të tjerë.

 

Numri i të dërguarve dhe ata, në të cilët duhet besuar në mënyrë të hollësishme

Numri i tyre është i madh dhe nuk e di askush tjetër pos Allahut. I Lartmadhërishmi thotë:

وَرُسُلاً قَدْ قَصَصْنَاهُمْ عَلَيْكَ مِن قَبْلُ وَرُسُلاً لَّمْ نَقْصُصْهُمْ عَلَيْكَ

Dhe (dërguam) të dërguar më parë që të rrëfyem për ta, dhe të dërguar të tjerë për të cilët nuk të rrëfyem.[2]

Numri i pejgamberëve dhe të dërguarve që përmenden në Kur'an është njëzetepesë, ata janë: Ademi, Idrisi, Nuhu, Hudi, Salihu, Ibrahimi, Luti, Junusi, Ismaili, Is'haku, Jakubi, Jusufi, Ejubi, Shuajbi, Musai, Haruni, Eljeseu, Dhul-Kifli, Davudi, Zekerijaja, Sulejmani, Iljasi, Jahjaja, Isai dhe Muhamedi, (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të gjithë ata!).

 

Të dërguarit e quajtur ulul-azmi (të vendosurit, të paluhatshmit)

Më të zgjedhurit e të dërguarve, respektivisht ata që u quajtën ulul-azmi janë: Muhamedi, Nuhu, Ibrahimi, Musai dhe Isai, të cilët i përmendi Allahu në suren esh-Shura, duke thënë:

شَرَعَ لَكُم مِّنَ الدِّينِ مَا وَصَّى بِهِ نُوحًا وَالَّذِي أَوْحَيْنَا إِلَيْكَ وَمَا وَصَّيْنَا بِهِ إِبْرَاهِيمَ وَمُوسَى وَعِيسَى أَنْ أَقِيمُوا الدِّينَ وَلَا تَتَفَرَّقُوا فِيهِ

Ai ju përcaktoi juve fe atë që ua pat përcaktuar Nuhut dhe atë që Ne ta shpallëm ty dhe atë me çka e patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain. (I porositëm) Ta praktikoni fenë e drejtë e mos u përçani në të.[3]

 

Të dërguarit janë njerëz

Të dërguarve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) i ndodhin të gjitha ato gjëra që i ndodhin edhe njerëzve tjerë, siç janë: gjumi, ngrënia, pirja, ulja, ecja, qeshja, sëmundja joirrituese, martesa, etj. Gjithashtu, dora e zullumqarëve mund t'i arrijë ata, i godasin lëndimet, dhuna, madje edhe mund të vriten, siç ka thënë Allahu i Lartësuar në Librin e Tij:

وَيَقْتُلُونَ الأَنبِيَاء بِغَيْرِ حَقٍّ

…dhe i mbytnin padrejtësisht pejgamberët.[4]

Pejgamberi ynë, Muhamedi (sal-lall-llahu alejhi ue sel-lem!) sëmurej, ndiente dhimbje, ankohej, e godiste nxehtësia, të ftohtit, uria, etja, e të ngjashme me to, të cilat janë veçori natyrore të njeriut. Porse, ata janë të mbrojtur nga mëkatet dhe cilësitë e këqija e të urryera.

 

Përforcimi me mrekulli që Allahu ua bëri të dërguarve të Tij

Allahu përforcoi të dërguarit e Tij me mrekulli, të cilat dëshmojnë për vërtetësinë e tyre, siç janë: shkopi i Musait, deveja e Salihut dhe Kur'ani famëlartë, duke ua shtuar këtyre edhe gjendjen e tyre të lartë shpirtërore dhe virtytet e tyre të larta, siç është durimi, fisnikëria, guximi, drejtësia, këshillimi, njerëzia e plotë e sjellje tjera madhështore të ngjashme me to, të cilat dëshmojnë se ajo, me të cilën kanë ardhur ata është e vërtetë e pakontestueshme.

 

Pyetje

1. Cilët të dërguar quhen Ulul-azmi?

2. Përmend një ajet, në të cilin janë përmendur emrat e tyre!

3. Çka domethënë besimi në të dërguar?

4. Përse dërgoi Allahu të dërguar?

5. Me çka e përgëzuan të dërguarit atë që i pason ata?

6. Nga cila gjë e paralajmëruan të dërguarit atë që i kundërshton ata?

7. Cilat veçori natyrore i posedojnë të dërguarit, dhe me se dallohen nga njerëzit tjerë?

8. Si i përforcoi Allahu të dërguarit e Tij?

 

Përktheu: Jusuf Kastrati

Marrë nga libri: “Et-Teuhid” - Instituti i Mësimit të Gjuhës Arabe - Universiteti "Imam" në Riad.



[1] Suretu En-Nisa: 165

[2] Suretu En-Nisa: 164

[3] Suretu Esh-Shura: 13

[4] Suretu Ali-Imran: 112