Llojet e shirkut të madh

Shirku i madh është katër llojesh:

1. Shirku i lutjes

Argument për këtë është thënia e Allahut:

"Kur hipin në anije, ata i luten Allahut me devotshmëri të sinqertë, por kur Ai i sjell në tokë shëndoshë e mirë, menjëherë ata i veshin Atij ortakë (në adhurim)."1

2. Shirku i nijetit, dëshirës dhe synimit

Argument për këtë është thënia e Allahut:

"Atyre që duan jetën e kësaj bote dhe bukuritë e saj, Ne do t’ua shpërblejmë krejtësisht punët e tyre dhe në të nuk do t’u lihet gjë mangët. Këta janë ata për të cilët në botën tjetër nuk do të ketë kurrgjë, përveç zjarrit. Do t’u shembet çdo gjë që kanë bërë në këtë jetë dhe do t’u zhvlerësohet ajo që kanë punuar."2

3. Shirku i bindjes

Argument për këtë është thënia e Allahut:

"Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)."3

Komentimi i drejtë i këtij ajeti:

Këtu nënkuptohet bindja ndaj dijetarëve dhe adhuruesve në mëkatim e jo lutja që u bëhet atyre, siç ia komentoi këtë i Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, Adij bën Hatimit, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur ai i tha të Dërguarit: “Po ne nuk i adhurojmë ata”. I Dërguari, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, i tregoi atij se bindja që u bëhet atyre në mëkatim ndaj Allahut është adhurim ndaj tyre.4

4. Shirku i dashurisë

Argument për këtë është thënia e Allahut:

"E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër."5

 

Marrë nga libri “Et-Teuhijd el-mujesser” i autorit Abdullah El-Huvejl
Përktheu: Jusuf Kastrati – Shembulli.com

 

  1. Sureja el-ankebutë 65.
  2. Sureja Hud 15, 16.
  3. Sureja et-teube 31.
  4. Hadithin e shënon Tirmidhiu, nr. i hadithit 3094.
  5. Sureja el-bekare 165.