Çka pas Kurban Bajramit?

Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.

Besimtarë të nderuar!

Është kjo ligjërata e parë pas Kurban Bajramit, pas atyre ditëve të mrekullueshme që përjetoi bota islame. Kaluan Dhjetë Ditët e Dhu’l Hixh-xhes, shkoi Dita e Arafatit, shkoi Dita e Kurban Bajramit, shkuan edhe tri Ditët e Teshrikut ndërsa tani çka? Çka pas këtyre stinëve të begative e mirësive? A duhet vazhduar rrugën drejt majave të adhurimeve, drejt sukseseve të reja në fe, drejt pastrimit të mëtutjeshëm shpirtëror, apo duhet kthyer traditës së vjetër të mëkateve? Natyrisht se besimtari, pa asnjë konfuzion a mëdyshje, do të përgjigjej për të parën, megjithatë, zbehja e angazhimit të tij, dobësia e personalitetit islam të tij dhe shprehja e traditës së vjetër në praktikë, dëshmojnë se zemrës së tij i duhet një shtytje, i duhet një përforcim, për ta mbajtur atë aktive, të fortë dhe dirigjuese edhe gjatë muajve tjerë.

Të nderuar muslimanë!

Kjo ligjëratë e sodit ka karakter vetëdijesimi. Ne synojmë nëpërmjet pak fjalëve që ua themi kthjelljen e shpirtrave dhe mendjeve nga agonia e mëkateve dhe injorancës se feja nuk është sezonale. Nëse Kurban Bajrami paska shkuar, nuk ekziston as më e thjeshta arsye për t’i bërë mëkat Allahut të Madhëruar ngase neve jemi ende në një muaj të shenjtë, madje pas tij na pret muaji tjetër i shenjtë, Muaji Muharrem. Dalja nga një stinë adhurimesh, nuk nënkupton zhveshjen prej adhurimeve, por vazhdimin e tyre në një formë tjetër. Allahu e ruajt Dr. Afuruddinin, njërin nga profesorët tanë, i cili shumë shpesh na thoshte: Nuk është çlodhje braktisja e librit, por ndërrimi i tij me një libër tjetër”. Pra, nuk është mençuri ikja nga ibadetet, por ndërrimi i tyre. Nuk kërkohet shumë punë por kërkohet përhershmëri në to. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
أَحَبُّ الأَعمَالِ إِلى اللهِ أَدوَمُها وَإِن قَلَّ
Veprat më të dashura tek Allahu janë ato, që janë në vazhdimësi e sipër edhe nëse janë pak”.

Vëllezër të dashur!

Siç e dini, pas më pak se tri jave, ne do të kemi Vitin e Ri Islam, i cili nuk festohet me ngrehje dollish, me ahengje e mbrëmje gazmore sikur që nuk shënohet asnjë festë tjetër islame në këtë forme, por i cili obligon besimtarin që me një laps dhe fletore në dorë të llogarisë vetveten e tij se cili është bilanci i veprave të mira dhe mëkateve që i bëri gjatë vitit islam që po e lë pas.
Kjo shumë bukur përputhet me kryerjen e Haxhit, ku pas tij dhe pas çdo adhurimi tjetër, besimtari duhet të kërkoj falje dhe ta lus Allahun që t’ia ketë pranuar adhurimet e t’ia ketë falur lëshimet. Thotë Allahu:
ثُمَّ أَفِيضُوا مِن حَيثُ أَفَاضَ النَّاسُ وَاستَغفِرُوا اللهَ إِنَّ اللهَ غَفُورٌ رَّحِيمٌ
Pastaj zdirgjuni andej kah zdirgjen njerëzit, kërkoni All-llahut falje, se All-llahu fal e është mëshirues”. (El Bekare, 199)
Jo vetëm adhurimet, por edhe jeta e njeriut duhet të përfundoj me kërkim falje të mëkateve. Allahu i Madhëruar i shpalli Muhammedit, alejhi’s selam pas përhapjes se Islamit dhe kohës kur vdekjen e kishte pranë:
فَسَبِّحْ بِحَمدِ رَبِّكَ وَاستَغفِرْهُ إِنَّهُ كَانَ تَوَّابًا
Ti, pra, lartësoje Zotin tënd duke falënderuar dhe kërko nga Ai falje. Ai vërtet pranon shumë pendimin, është mëshirues i madh”. (En Nasr, 3)
Mu për këtë, porosia fetare për besimtarët është që gjithmonë jeta dhe adhurimet e tyre të jenë nën ombrellën e Shpresës dhe Frikës, shpresës se vepra e mirë pranohet dhe frikës se ato, nga shkaqe që neve mund të mos i dimë, nuk pranohen.

Xhematlinjë të respektuar!

Le t’i kushtojmë rendësi të madhe ruajtjes së besimit nga besëtytnitë dhe idetë a veprat që mund ta shkulin atë nga zemrat tona. Le të kuptojmë se nuk është me rëndësi vetëm të besosh, por të vdesësh me besim; nuk është me rëndësi vetëm të falësh namaz, por të të pranohet namazi, nuk është me rëndësi vetëm të agjërosh në Ramazan por ta vazhdosh traditën e agjërimit qoftë me dy ditë në jave a tri në muaj; nuk është me rëndësi vetëm të punosh vepra të mira por me rëndësi është që Allahu i Madhëruar të ta merr shpirtin duke qenë ti në vepra të mira ngase Pejgamberi, alejhi’s selam, siç transmeton Imam Muslimi, ka thënë:
يبعث كل عبد على ما مات عليه
Çdo njeri ringjallet në veprën në të cilën ka vdekur”.
O Allah! Na vdis në namaz dhe na ringjall duke qenë në sexhde për Ty! Na vdis me agjërim, na ringjall në atë gjendje dhe na fut në Xhenent nëpërmjet derës Rejjan! Na vdis si besimtar, me jetën e të cilëve Ti ndahesh i kënaqur!

 

Përgatiti: Sedat ISLAMI