Një orë pas mbylljes së vendvotimeve për rivotimin në komunën e Mitrovicës, KQZ-ja doli me rezultatet paraprake të daljes së qytetarëve në votim. Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se, në bazë të rezultateve të marra nga Komisioni Komunal i Zgjedhjeve në Mitrovicë, dalja ka qenë më e ultë se sa në zgjedhjet e zhvilluara më 12 dhjetor.
Daka njoftoi se në zgjedhje kanë dalë gjithsej 23 238 qytetarë me të drejtë vote, ose 26.76 për qind e numrit të përgjithshëm të qytetarëve me të drejtë vote. Duke bërë krahasim me 12 dhjetorin, kur në zgjedhje kishin dalë 32 215 zgjedhës, apo 37.10 për qind e trupit elektoral të komunës së Mitrovicës, ajo vërejti se dalja këtë herë ishte dukshëm më e vogël.
Kryetarja e KQZ-së vlerësoi se zgjedhjet e sotme në komunën e Mitrovicës ishin krejtësisht të rregullta, kurse rezultatet e para preliminare do të shpallen të hënën në orën 10:00.
Shtabet e partive politike, ndërkaq, flasin për rezultatet diç më të mira të daljes. Sipas PDK-së e LDK-së në zgjedhje kanë dalë rreth 28 për qind, kurse sipas Lëvizjes Vetëvendosje, dalja e zgjedhësve ka qenë mbi 30 për qind.
Edhe përfaqësuesit e partive politike rivotim in e sotëm e kanë vlerësuar si më të rregullt. Madje edhe përfaqësuesi i Vetëvendosjes, Dardan Molliçaj ka thënë se në krahasim me zgjedhjet e 12 dhjetorit, këto zgjedhje janë shumë më të mira. “Përmirësimet në procesin zgjedhor kanë ndodhur falë komisionarëve dhe vëzhguesve të Vetëvendosjes, të cilët i kanë disiplinuar, duke mos lejuar që të keqpërdorin votat e qytetarëve”, vlerësoi Molliqaj./koha/