Burimet e besueshme ndërkombëtare i kanë thënë „Kohës Ditore“ se Hashim Thaçit i janë dhënë disa opsione për të cilat mund të mendojë gjatë arritjes së marrëveshjes për krijimin e institucioneve të reja. Këto burime thonë se Thaçi, me gjithë mbështetjen ndërkombëtare që gëzon, e ka të qartë se pozicioni i tij është dobësuar dhe se duhet një qeverisje sa më e gjerë që të jetë e mundshme në Kosovë.
Përderisa është e qartë se Thaçi mbështetet të jetë kryeministër, këto burime thonë se duhet sa më parë të arrihet marrëveshja edhe për postin e presidentit.
Në këto kalkulime për postin e presidentit të vendit, sipas disa diplomatëve ndërkombëtarë, janë katër “opsione serioze“ që po diskutohen.
Opsioni i parë për president të Kosovës përmendet të jetë Edita Tahiri. “Zgjedhja e saj do të ishte një zgjidhje e mirë në këtë moment jo të lehtë për Kosovën“, tha një burim ndërkombëtar, që foli me kusht anonimiteti.
Burimet e tjera kanë konfirmuar për gazetën vërtetësinë e këtyre zhvillimeve.
Emri i Edita Tahirit tashmë është lakuar si mundësi për të parën presidente femër të Kosovës. Preferenca për një presidente femër tashmë kanë shprehur hapur edhe zyrtarë ndërkombëtarë, para së gjithash kreu i Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.
Opsioni tjetër është një që po ashtu është përmendur – nënkryetari i parë i AAK-së, Blerim Shala, për të cilin variant është raportuar se tani ka hezitime brenda vetë partisë së tij, AAK-së.
Ndërsa opsioni i tretë është që simbol i unitetit të Kosovës dhe gardian i Kushtetutës së Republikës të jetë kryetari i tanishëm i socialdemokratëve të Kosovës, ish-kryeministër dhe ish-komandant i UÇK-së dhe TMK-së, Agim Çeku.
Një tjetër emër që burimet ndërkombëtare thonë se bën pjesë në diskutimet serioze për të qenë president i ardhshëm i Kosovës është ai i Veton Surroit, tani kryetar i Klubit për Politikë të Jashtme dhe pjesëmarrës i pothuajse të gjitha proceseve të mëdha politike në Kosovë dhe rreth saj prej viteve ‘90.
Sipas burimeve ndërkombëtare, Surroi do të ishte president në rastin e krijimit të një koalicioni gjithëpërfshirës, ndërsa një tjetër mundësi për angazhimin e tij është që ai të jetë “i ngarkuari i posaçëm“ i Kosovës për dialog me Serbinë.
Sidoqoftë, burimet thonë se gjithçka tani varet nga mënyra sesi do të arrihet koalicioni qeverisës dhe kush do të përfundojë si pjesë e Qeverisë së ardhshme e kush do të mbetet në opozitë.
Por, siç theksojnë burimet, gjithçka do të varet nga formati i koalicionit të ardhshëm qeverisës. Sa më shumë që kalon koha, presioni në PDK-në dhe në Thaçin shtohet, ndërsa rezultatet e shpallura vetëm sa ia vështirësojnë atij pozicionin, marrë parasysh se shumica prej 61 deputetësh, e nevojshme për krijim të Qeverisë, mund të arrihet edhe pa PDK-në dhe pa votat e minoritarëve.
Ndërkohë, burime ndërkombëtare thonë se ditët e fundit mesazhet nga AAK-ja janë konsistente se hyrja në koalicion me PDK-në mund të bëhet vetëm nëse pjesë e Qeverisë do të jetë edhe LDK-ja, dhe me kushtin që kreun e Qeverisë të mos e ketë Thaçi.
Po ashtu, burime ndërkombëtare të gazetës thonë se edhe pozicioni i LDK-së kundër hyrjes në koalicion me PDK-në nuk është më aq i prerë, por se edhe ai është në vijat e njëjta me atë të AAK-së: “Me PDK-në po, por pa Thaçin kryeministër“.
Ajo që shumica e burimeve ndërkombëtare e pohojnë si opsion të pamundshëm është që Behgjet Pacolli të jetë president i Kosovës. „Ky opsion është tërësisht i papranueshëm dhe Hashim Thaçi e di këtë. Pacolli nuk mund të bëhet president i Kosovës në rrethanat e caktuara, përveç nëse Kosova dëshiron të prishë seriozisht raportet me miqtë kryesorë të saj ndërkombëtarë“, kanë thënë burimet ndërkombëtare pa dashur të sqarojnë se cilat janë arsyet e tyre për konstatime të tilla.
Ndërkohë, vetë Pacolli publikisht insiston se partia e tij, AKR, mund të bëhet pjesë e koalicionit qeverisës vetëm nëse ai e merr postin e presidentit, përndryshe AKR-ja do të mbetet në opozitë./koha/