Me rastin e katërmbëdhjetëvjetorit të rënies së dëshmorëve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, është vlerësuar lart vepra dhe kontributi i tyre dhënë për lirinë e Kosovës. Liderët e partive janë përkulur para përmendores së Zahir Pajazitit, ndërkohë që nën patronazhin e kryeministrit Thaçi është mbajtur edhe një akademie përkujtimore kushtuar këtyre dëshmorëve.
Kryeministri i Kosovës në largim, Hashim Thaçi, ka thënë se në kalendarin historik 31 janari i vitit 1997, hyn në histori me emër të tre pishtarëve të parë të UÇK-së.
Thaçi ka thënë se Zahiri një jetë të tërë ishte përgatitur, edukuar shpirtërisht dhe fizikisht dhe në aspektin organizativ për t’iu kundërvënë strukturave të dhunshme administrative serbe në Kosovë.
Kurse veprimtari Adem Demaçi me këtë rast ka thënë se kur atdheu dhe kombi është në rrezik, atëherë vijat e kuqe mes shqiptarëve duhet të harrohen dhe lihen mënjanë.
Ai më tutje u ka bërë thirrje të gjithë shqiptarëve që të lënë anash interesat e tyre personale, partiake e të tjera, “sepse këta nuk ishin të asnjë partie, këta ishin të popullit dhe populli kërkon prej nesh që t’i bashkojmë forcat në mënyrë që bota të na trajtojë seriozisht e të mos mendoj se jemi do kalamaj që ende pa krijuar shtetin si duhet të luftojmë për pushtet”.
Gjatë ditës liderët e të gjitha partive kanë bërë homazhe pranë shtatores së Zahir Pajazitit. Duke filluar nga kryeministri Thaçi, e duke vazhduar me liderët e partive tjera.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa, njëherësh kryetar i LDK-së, pas homazheve te shtatorja e dëshmorit Zahir Pajaziti, ka thënë se do të angazhohet për të rregulluar më mirë Sheshin “Zahir Pajaziti”.
Edhe AAK-ja dhe AKR-ja janë përkulur para shtatores së Zahirit. Ahmet Isufi nga AAK-ja, ka thënë se jemi këtu në përkujtim të figurave të UÇK-së, komandantit Zahir Pajaziti, Ilir Konushevcit, Hakif Zejnullahut dhe shumë dëshmorëve tjerë që kanë rënë për vendin. Homazhe pranë shtatores së dëshmorit Zahir Pajaziti, ka bërë edhe një delegacion i FSK-së, i kryesuar nga ministri në largim Fehmi Mujota dhe shumë qytetarë dhe personalitete të tjera./zeri/