Isa Mustafa vendos të mbetet vetëm kryetar komune

Kandidati për deputet në Kuvendin e Kosovës, Isa Mustafa, i cili udhëheq LDK-në,  ka vendosur të mos e përjetojë të qenit deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Edhe pse i kishte hyrë garës në zgjedhjet e përgjithshme të 12 dhjetorit për të marrë votat e elektoratit për LDK-në, “Koha Ditore” merr vesh se Mustafa ka vendosur të mos i përfaqësojë qytetarët, të cilët e votuan për postin e deputetit.
Ndonëse ka fituar vota të mjaftueshme për këtë post, Mustafa përfundimisht do të mbajë postin e kryetarit të Komunës së Prishtinës. Mustafa, i cili i prin listës së LDK-së me 130.213 vota të fituara në zgjedhjet e jashtëzakonshme, me vendimin e tij e ka njoftuar edhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Burime të gazetës brenda këtij institucioni kanë treguar se njoftimi i Mustafës është diskutuar të enjten në KQZ, institucion ky i cili pritet që në ditët në vijim t’ia kthejë përgjigjen Mustafës, partia e të cilit në përbërjen e re të legjislativit do të përfaqësohet me 27 deputetë.
“Në KQZ ka arritur kërkesa e LDK-së, kryetari i së cilës ka kërkuar që konform Ligjit për zgjedhjet të lirojë postin e deputetit, edhe pse atë e ka të sigurt në bazë të votave të fituara. Krejt çka i mbetet tash KQZ-së është që ta njoftojë kryetarin Mustafa me kandidatin që do ta zëvendësojë atë”, ka thënë burimi i gazetës brenda KQZ-së.
Çështja e lirimit të njërit post parashihet në nenin nëntë, pika 9.3 të Ligjit për zgjedhjet lokale. Në këtë nen thuhet se “kandidati i subjektit të certifikuar politik për pozitë të Kryetarit të Komunës mund të certifikohet si kandidat në zgjedhje të tjera, siç janë ato për Kuvend të Kosovës apo Kuvend të Komunës, por do të mbajë vetëm një pozitë të zgjedhur”. Aty specifikohet se “nëse zgjidhet si kryetar komune, kandidati nuk do të këtë të drejtë të mbajë vendin në Kuvendin e Kosovës apo Kuvendin e Komunës”, precizohet në ligj. Njoftimin për lirim të postit nga Mustafa ndërkohë e ka konfirmuar të enjten për gazetën edhe kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka.
“Ai e ka njoftuar KQZ-në se do ta lirojë postin e deputetit dhe ne do ta bëjmë zëvendësimin e tij konform nenit 112.2 të Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme”, është shprehur Daka.
Gazeta ka kuptuar se në vend të Isa Mustafës postin e deputetit do ta ushtrojë kandidati Sali Asllanaj, i cili ka fituar 7.388 vota dhe kishte qenë në listë të pritjes. Asllanaj është kryetar i Degës së LDK-së në Suharekë dhe është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së. Në kohën kur LDK-ja kishte filluar të përgatiste listën për kandidatë për deputetë, mediet kishin raportuar se Asllanaj kishte lëshuar para kohe mbledhjen e kësaj partie, për shkak se nuk ishte pajtuar me emrat e propozuar për listën e deputeteve në Parlamentin e Kosovës.
Madje një e përditshme vendëse e kishte cituar Asllanajn të ketë thënë se “emri im ka qenë në  listë, por tani jam tërhequr nga  lista”. Ai kishte treguar se e kishte përkrahur Isa Mustafën për kryetar të LDK-së, me qëllim të vetëm që të distancohej nga politika e Fatmir Sejdiut.
“E kam përkrahur Isa Mustafën për të vetmen arsye që të distancohet nga politika e Fatmir Sejdiut, por tash po më duket se është duke vazhduar e njëjta politikë”, kishte deklaruar Asllanaj.
Ky i fundit për shtatë vjet me radhë kishte udhëhequr Komunën e Suharekës, të cilën e humbi në zgjedhjet lokale të vitit 2009, pasi që ishte sfiduar nga  kundërkandidati nga AAK-ja, Blerim Kuçi, i cili në të njëjtin vit ishte larguar nga LDK-ja./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat