Për shkak të pamundësisë për të krijuar një koalicion të qëndrueshëm qeverisës nga ana e kryetarit të PDK-së, , Hashim Thaçi, në postin e kryeministrit të ardhshëm mund të vijë ministri në largim i Ekonomisë dhe i Financave, Ahmet Shala ose i dyti i qeverisë dhe i PDK-së, Hajredin Kuçi.
Burime të gazetës “Zëri”, të afërta me procesin e krijimit të qeverisë së re, kanë bërë të ditur se refuzimi i AAK-së për të hyrë në qeveri, ku kryeministër do të ishte Hashim Thaçi, që si rrjedhojë ka vështirësuar edhe më shumë krijimin e një koalicioni të qëndrueshëm qeverisës, ka hapur mundësinë që Shala e Kuçi të shihen si persona më të pranueshëm për ta drejtuar ekzekutivin e vendit, jo vetëm nga partitë, por edhe nga ndërkombëtarët.
“Ahmet Shala ka një mbështetje shumë të fuqishme ndërkombëtare meqenëse për disa vite me radhë punon direkt me ta. Nuk përjashtohet as emri i Hajredin Kuçit, i cili mund të pranohet nga partitë, si AAK-ja që ka rezerva ndaj Thaçit, por edhe nga partitë tjera”, ka thënë ky burim i gazetës.
Rrethanë vështirësuese për Shalën që të merr çfarëdo posti në qeveri megjithatë mbetet fakti se, ndër tjerash, ai ka qenë i përfolur në “Rastin Bllaca”, megjithëse ndaj tij ende nuk dihet nëse ka filluar ndonjë hetim.
Gjatë të së martës, Këshilli Drejtues i AAK-së, i ka thënë përfundimisht jo qeverisë në krye me Hashim Thaçin, derisa AKR-ja e Behgjet Pacollit, si kusht për koalicion ka vënë emrin e Pacollit për të marrë postin e presidentit.
Në anën tjetër, LDK-ja është deklaruar se do të hynte në një qeveri pa Thaçin, dhe me kusht që zgjedhjet e ardhshme të mbaheshin brenda një periudhe njëvjeçare./koha/