Tri vjet shtet

Republika e Kosovës sot shënon trevjetorin Pavarësisë, e cila deri më tani është njohur nga 75 shtete të botës. Për nder të kësaj dite, mbrëmë presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ka organizuar një pritje, ndërsa qeveria në largim, nuk ka parapa të organizojë asnjë ceremoni festive.

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se së shpejti do të konstituohen institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit, të cilat para vetes do të përballen me sfida të reja të shtet-ndërtimit. Ai këto komente i bëri të mërkurën mbrëma, gjatë një pritjeje me rastin e trevjetorit të shpalljes së pavarësisë, ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore, partive politike, ambasadorë të huaj, etj.
Duke folur rreth trevjetorit të pavarësisë, Krasniqi theksoi se shpallja e pavarësisë përmbushi aspiratat e brezave të tërë që sakrifikuan veten për lirinë.

“Në këtë përvjetor, ne përulemi me respektin e përjetshëm, para të gjithë atyre burrave e grave të Kosovës, që bënë sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e atdheut të tyre të shtrenjtë. Më 17 Shkurt, e në çdo 17 Shkurt, ne përkulemi para Komandantit Legjendar – Adem Jashari dhe Jasharëve të lavdishëm, për flijimin e tyre biblik, për frymën e lirisë e të paqes që sollën në Kosovën tonë.

Më 17 Shkurt, ne kujtojmë me mirënjohje të thellë të gjithë miqtë tanë, që i kontribuuan lirisë, pavarësisë dhe ndërtimit demokratik të Kosovës”, - ka thënë Krasniqi.

“Kosova e pavarur e demokratike do të jetojë e zhvillohet dhe do të përballet me sfidat e rritjes e të përparimit”, ka thënë ai.

Krasniqi ka shprehur besimin se institucionet e reja të dala nga zgjedhjet e 12 dhjetorit do të konstituohen shumë shpejt. Ai uroi të gjithë qytetaret e Kosovës për këtë festë të madhe, duke kujtuar familjen e komandantit legjendar të UÇK-së Adem Jashari për flijimin që bëri, por edhe miqtë ndërkombëtarë që i kontribuuan lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, e cila deri më sot është njohur nga 75 vende të botës. 

Ndërkohë edhe kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi uroi gjithë qytetarët e Kosovës më rastin e tre vjetorit të pavarësisë. Ai tha se pavarësia është meritë e gjithë popullit të Kosovës. Ai kujtoi gjithë ata që flijuan jetën për të realizuar idealin e shtetit të Kosovës ndërkaq falënderoi edhe gjitha shtetet që ndihmuan krijimin e shtetit të Kosovës.

Kosovën për tre vjetorin e pavarësisë e ka uruar edhe Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar Pieter Feith. Ai tha se pas tri viteve, Kosova ka bërë progres të konsiderueshëm. “Ajo po i ndërton institucionet demokratike të cilat po funksionojnë gjithnjë më efektshëm për të siguruar një Kosovë të suksesshme, të qëndrueshme, stabile dhe që i kontribuon perspektivës evropiane dhe euroatlantike të vendit. Kjo punë përfshin zbatimin e Propozimit Gjithëpërfshirës për Statusin” thotë Feith. Ai ka  përgëzuar  Kosovën për përpjekjet dhe rolin e saj në sigurimin e të drejtave të komuniteteve, të stabilitetit dhe të bashkëpunimit në rajon e më gjerë.

Edhe Presidenti i Shqipërisë, Bamir Topi uroi tre vjetorin e pavarësisë së Kosovës përmes një letre urimi drejtuar presidentit në detyrë Jakup Krasniqi ku shprehu dëshirën dhe urimet më të mira për konstituimin sa më të shpejtë të institucioneve legjitime të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e fundit të përgjithshme.

Më 17 shkurt 2008, Kosova u bë lajm i botës për vendimin historik. Entuziazmi që përjetohet veç njëherë në jetë shpërtheu në secilin skaj të mundshëm të vendit. Ishte festa që duhej të ndodhte. Por, realiteti i hidhur trokti më shpejt sesa që pritej. Vendi që ka hyrë në krizën institucionale e politike nëntorin e kaluar, ende nuk ka krijuar institucionet e reja, as pas katër muajsh. Koalicioni i pavarësisë, i ndërtuar nga Thaçi e Sejdiu, ka përfunduar i ndarë vetëm brenda tre vjetëve të qeverisjes.  Premtimi i hershëm i kryeministrit Hashim Thaçi për 100 njohje nuk është përmbushur as për 3 vjetësh, ndërsa vetëm 75 vende e kanë njohur shtetin e ri. Serbia, ka kërkuar mendimin e Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për legjitimitetin e pavarësisë, por ka marrë goditje kur është konfirmuar se pavarësia ishte në përputhje me të Drejtën ndërkombëtare. Shtete mike të shumta kanë lobuar për Kosovën, ndërsa në Prishtinë një rivalitet i pazakontë e ka karakterizuar Ministrinë e Jashtme dhe AKR-në e Behgjet Pacollit. Kosova është anëtarësuar në FMN dhe në Bankën Botërore, ndërsa organizatat e tjera ndërkombëtare, kanë mbetur larg dëshirës së Prishtinës për të marrë ndonjë vend.

Qeveria në largim e Republikës së Kosovës, nuk ka planifikuar të organizojë asnjë aktivitet për të shënuar përvjetorin e tretë të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa, Komuna e Prishtinës ka paraparë që të ketë një shfaqje teatrale, një koncert për fëmijë, por edhe një koncert për të rritur, vizita tek varret e dëshmorëve, te varri i ish-presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova dhe ndezja e fishekzjarrëve./koha/

 

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat