Në Strasburg një ditë më parë është mbajtur një takim i Komitetit të Jashtëm të Parlamentit Evropian, që ishte fokusuar në akuzat për trafikim të organeve në Kosovë, gjatë konfliktit në vitin 1999. Pas mbledhjes anëtarët e Parlamentit Evropian thanë se Marty kishte dështuar të paraqiste çfarëdo prove lidhur me akuzat.
Në këtë takim mori pjesë edhe autori i raportit, Dick Marty. Takimi ishte i mbyllur për gazetarë, por pas mbledhjes, anëtarët e Parlamentit Evropian thanë se Marty kishte dështuar të paraqiste çfarëdo prove lidhur me akuzat dhe i ka akuzuar anëtarët e PE-së, që ishin kritikë ndaj raportit të tij, për anim, shkruan e përditshmja Irish Times, transmeton Rel.
“Problemi ishte se ai e paraqiti raportin e tij në mënyrë të ashpër dhe pastaj ne i bëmë pyetje në mënyrë të ngjashme të ashpër dhe ai filloi të na sulmoj neve”, i tha gazetës anëtari i PE-së nga Gjermania, Bernd Posselt.
Ai mëtutje theksoi se “ai duhet të japë përgjigje e jo t’i sulmoj njerëzit që i shtrojnë pyetje”.
Mëtutje, Posselt tha se raporti “nuk ishte serioz” dhe shtoi se ai kishte dëshiruar të “dëgjoj fakte serioze e jo polemikë dhe e gjithë ajo që ne patëm, ishte polemikë dhe opinione”.
E përditshmja Irish Times mëtutje transmeton fjalët e anëtares së Parlamentit Evropian nga Gjermania, Doris Pack, se “reagimi i tij ishte shumë ofensiv”. Sipas saj, “së paku 90% të evro-parlamentarëve, që i kishin bërë pyetje Martyt ishin shumë kritikë ndaj raportit”.
Ajo theksoi se “në fund ai ishte aq i furishëm dhe na sulmoi të gjithë neve dhe akuzoi se jemi të njëanshëm, sepse ne i njohim këta njerëz në Qeverinë e Kosovës”.
Duke theksuar se “kuptohet se i njoh këta njerëz, pasi kam punuar në rajon për 24 vite”, Pack shtoi se Dick Marty nuk ka paraqitur emra të dëshmitarëve, të viktimave ose të organeve, që dyshohet se janë trafikuar.
Irish Times shkruan se kur gazeta i është afruar, Dick Marty ka refuzuar ta komentoj përmbajtjen e raportit ose përfundimin e dëgjimit.
Merret vesh se ai ka thënë në dëgjim në PE, se programi i mbrojtjes së dëshmitarëve është i nevojshëm në Kosovë, para se ai të paraqes më tepër detaje për dëshmitarët lidhur me akuzat për trafikim të organeve, pasi jeta e tyre ishte në rrezik, shkruan e përditshmja Irish Times. /Telegrafi/