Behgjet Pacolli dhe Jakup Krasniqi i kanë dhënë shpjegime Gjykatës Kushtetuese, secili në variantin e vet, mbi atë sesi ka rrjedhur seanca e 22 shkurtit, gjatë së cilës Pacolli është zgjedhur kryetar shteti, shkruan sot Koha Ditore.
Derisa i pari ka deponuar në Kushtetuese një lëndë 10 faqesh, i dyti e ka parë të udhës që t’ia përcjellë të njëjtit institucion vetëm stenogramin e seancës së jashtëzakonshme. Si njëri ashtu edhe tjetri, ndonëse jo detyrimisht, është dashur t’i jepnin komentet e tyre brenda dhjetë ditësh, prej ditës kur 34 deputetë të LDK-së dhe të AAK-së kanë ngritur “rastin Pacolli” në Gjykatë. Ky rast është ngritur më 1 mars. Iniciuesit e kësaj lënde kanë shprehur dyshime se gjatë zgjedhjes së presidentit nuk është respektuar neni 86 i Kushtetutës.
Në këtë nen precizohet që “zgjedhja e presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, dhe “nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave në dy votimet e para organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve, të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë, dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve zgjidhet president i Republikës së Kosovës”. Mirëpo në momentin e votimit të Pacollit për president kanë qenë të pranishëm vetëm 67 deputetë. Për këtë shkak, pala iniciuese e lëndës ka ngritur dilemën nëse ka pasur kuorum për të votuar gjatë dy rundeve të para. Dilema tjetër e ngritur është nëse Kuvendi ka mundur ta zgjedhë presidentin në raundin e tretë, pa pasur kundërkandidat.
Kjo për faktin se Kushtetuta e parasheh që dy kandidatë mund të shkojnë në këtë raund dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve të zgjidhet president.
“E vërteta është se Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga unë që t’i jap komentet rreth seancës së 22 shkurtit, mirëpo unë e kam parë të arsyeshme që t’ia procedoj asaj vetëm stenogramin e mbledhjes”, ka thënë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi për “Kohën Ditore”.
Këtë veprim ai e ka arsyetuar me faktin se seanca e Kuvendit ka qenë e hapur dhe çdokush ka pasur rastin ta shihte rrjedhën e saj.
“Unë s’kam pasur çka të them, sepse gjithçka ka qenë transparente. Tash le të gjykojë Gjykata Kushtetuese nëse ka pasur shkelje ose jo. Mua s’më takon të gjykoj”, ka deklaruar Krasniqi./koha/