Turqia rikonfirmon mbështetjen për Kosovën

Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Stamboll, ku po merr pjesë në  Samitin Botëror të Liderëve të Ndryshimeve, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.

Në takimin mes dy kryeministrave është diskutuar për aktualitetin politik dhe ekonomik në rajon, me theks të veçantë për fuqizimin e mëtejmë të bashkëpunimit të shkëlqyer mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë në të gjitha aspektet, që janë në interes të të dyja vendeve.

Sipas një njoftimi nga Kryeministria e Kosovës, kryeministri turk Rexhep Taip Erdogan ka përgëzuar kryeministrin Hashim Thaçi për krijimin e institucioneve të reja legjitime dhe kredibile të Kosovës dhe ka premtuar angazhimin e Turqisë për të siguruar njohje të reja për shtetin e Kosovës.

Në takim, kryeministri Thaçi ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen që i ka dhënë Turqia Kosovës në procesin e çlirimit, pavarësimit dhe atë të zhvillimit dhe integrimit, duke potencuar në veçanti mbështetjen e vazhdueshme të Turqisë në aspektin e njohjeve për shtetin e Kosovëvs dhe investimet turke në Kosovë.

Kryeministri Hashim Thaçi në takim ka njohur kryeministrin Erdogan me angazhimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për dialogun teknik mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së  Serbisë, si dy shtete të pavarura, si dhe për përcaktimin e fuqishëm për perspektivën evropiane të Republikës së Kosovës.

Edhe kryeministri turk Erdogan ka shprehur mbështetjen e tij të fuqishme për dialogun teknik mes të Kosovës dhe Serbisë dhe ka shprehur qëndrimin se kjo është rruga e të dyja vendeve për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Duke folur për përkushtimet e kabinetit të ri qeveritar, kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi mes tjerash ka theksuar se “mandati i kabinetit të ri qeveritar është mandati i zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik, mandati i integrimit dhe mbi të gjitha mandati i forcimit të bashkëpunimit me të gjitha vendet e rajonit” dhe ka theksuar se “Republika e Kosovës mirëpret përfshirjen e Turqisë në aktivitetet e forcimit të bashkëpunimit rajonal në Ballkan dhe e konsideron atë një partner strategjik të Kosovës”.

Kryeministri Thaçi, po sot ka zhvilluar një takim miqësor edhe me z.Bakir Izetbegoviq, anëtar i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës.

Në takim është biseduar për zhvillimet aktuale politikë në rajon, për domosdonë e forcimit të bashkëpunimit mes dy vendeve, në interes të perspektivës evropiane të rajonit dhe për çështje tjera.

Gjatë takimit mes kryeministrit Thaçi dhe z.Izetbegoviq u shtrua nevoja e tejkalimit të barrierave, të cilat janë duke penguar lëvizjen e njerëzve dhe mallrave në mesë të dy vendeve. Republika e Kosovës dhe Bosnja e Hercegovina kanë potenciale për kultivimin e marrëdhënieve shumë të mira dhe kultivojnë tradita të bashkëpunimit, është vlerësuar në takim.

Kryeministri Thaçi ritheksoi vizionin dhe përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për  thellimin e bashkëpunimit rajonal mes shteteve të rajonit, në interes të paqes, stabilitetit, zhvillimit dhe integrimit të plotë të rajonit në strukturat euro-atlantike./Koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat