Fatmir Limaj ish-ministër i Transportit dhe aktualisht deputet e nënkryetar i PDK-së, për të cilin, siç u raportua sot, ekziston fletarresti nga hetuesit e EULEX-it, rreth orës 21 e 40 minuta është nisur vullnetarisht nga shtëpia e tij në Çagllavicë për në Gjykatën e Qarkut të Prishtinës.
Policia e EULEX-it, siç kishin bërë me dije mediat vendore, të mërkurën kishte një fletëarrest për Fatmir Limajn, nën dyshimin për krime lufte të kryera në fshatin Kleçkë. Mirëpo, Limaj është vetëdorëzuar dhe sipas burimeve, pritet që t’i zhvillohet seanca dëgjimore në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, nën dyshimin për krime lufte kundër popullatës civile dhe kundër të burgosurve gjatë luftës.
Limaj me rastin e nisjes për në Gjykatë ka deklaruar se gjatë luftës ai me tërë potencialin personal dhe familjar iu përkushtua çlirimit të vendit, ndërsa pas luftës po me tërë fuqinë profesionale e intelektuale punoi për ndërtimin e vendit dhe për këtë ai ndihet shumë krenar.
"Kam thënë edhe më herët se po ti kisha 1 milion jetë nuk do të ndërroja asgjë në jetën time", tha Limaj.
Limaj ka deklaruar se "e din që është e vështirë për ata që kanë pasur besim tek ai", por, sipas tij, vendi ndihmohet në këtë mënyrë. Duke iu përgjigjur ftesave të gjyqit, qofshin ato të drejta,apo të padrejta.
Ish ministri i Postë-Telekomunikacionit të Kosovës tha se "për të, vendi është mbi të gjitha" dhe se "shpreson që fjalia askush mbi ligjin të mos keqpërdoret"./koha/