Kosovë: Rënie drastike e natalitetit

Kosova vazhdon të prijë në Evropë për rënie të natalitetit, thonë ekspertë të këtij lëmi. Sueda Latifi, shefe e sallës së lindjes në Klinikën gjinekologjike obstetrike, thotë se në vitin 2009- 2010 janë raportuar 27.8 për qind më pak lindje, krahasuar me periudhën e vitit 2000.

“Ka rënie të natalitetit në Kosovë për 27 për qind, derisa në vendet tjera të Evropës në një 10-vjeçar, konsiderohet të ketë maksimalisht deri në 15 për qind rënie të natalitetit. Në Kosovë ka rënie drastike të natalitetit”, thotë Latifi.Edhe Agron Gashi, zyrtar në UNICEF, thotë se trendi i rënies së natalitetit që po vazhdon qe disa vjet, do të mund të ngrihet si rezultat i jetësimit të Ligjit të punës, transmeton REL.

Gashi përmend shumë faktorë që ndikojnë në këtë çështje, që kanë grumbulluar të dhëna nga hulumtimet e bëra nga kjo organizatë.

“Faktorët që ndikojnë janë kryesisht gjendja ekonomike, por edhe dëshira e prindërve për të pasur më pak fëmijë. Megjithatë, nuk ka studime që mund ta mbështesin këtë. Ligji i punës i aplikueshëm në Kosovë, tash është në të mirën e nënës dhe të fëmijës, në përgjithësi, dhe mendoj që sadopak ky trend i rënies së natalitetit do të shënojë ngritje”, shprehet Gashi.
Ndërkaq, Faik Hoti, drejtor i Departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, thotë se ky institucion ka në përgjegjësi krijimin e infrastrukturës ligjore dhe zbatimin e atyre politikave, që sigurojnë një mbrojtje të mirë të shëndetit të nënës dhe fëmijës.
Sipas Hotit, tashmë janë nxjerrë edhe disa ligje që promovojnë një jetë sa më
të shëndetshme për nënën dhe fëmijën.

“Nëse shteti konstaton se numri i lindjeve është në rënie dhe ka nevojë për një politikë që të promovojë rritjen e natalitetit, mbetet që kjo çështje të adresohet në ndonjë strategji të veçantë, ndoshta një hap pozitiv që mund të favorizojë rritjen e natalitetit. Ligji i ri i punës, e që ka filluar të aplikohet në Kosovë, sigurisht do të promovojë të drejtat e nënës në këtë aspekt”, sqaron Hoti.
Sidoqoftë zyrtarët shëndetësorë tashmë kanë deklaruar se trendi i rënies së natalitetit, është një fakt që po ndodhë, dhe se shteti duhet të mendojë për ato politika që favorizojnë mirëqenien e nënës, si dhe politikat që favorizojnë numrin e rritjes së lindjeve/BOTASOT


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat