Studentët e Universitetit të Prishtinës kanë kundërshtuar arrestimet e pjesëtarëve të UÇK-së, që u bënë nga ana e EULEX-it një ditë më parë.
Në mbrojtje të vlerave të Luftës së UÇK-së studentët marshuan nga Mensa e Studentëve deri tek selia qendrore e EULEX-it. Studentët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të ish-ushtarëve të UÇK-së të cilët janë arrestuar mbrëmë. Gjatë protestës ata kanë brohoritur parulla në mbështetje të të arrestuarve. Ndërkohë, një numër i madh i forcave policore kishin rrethuar ndërtesën e EULEX-it, ndërsa protesta përfundoi e qetë. Organizatorët kanë paralajmëruar se protestat do të vazhdojnë edhe në ditët e ardhshme.
Po ashtu gjatë të ditës së sotme edhe në Sheshin e Dëshmorëvenë Malishevë u mbajtë një protestë kundër arrestimit të ish-pjesëtarëve të UÇK-së nga kjo komunë protestë kjo e organizuar nga degët e Organizatave të dala nga Lufta e UÇK-së në Malishevë dhe është mbështetur nga qytetarët. Protestuaesit kanë marshuar drejt qendrës së qytetit, ku me brohoritje e pankarta kërkuan që EULEX-i të ndërpres akuzat dhe shpifjet politike për luftën e drejtë të UÇK-së.
Edhe Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar për arrestimet e djeshme nga EULEX-i duke thënë se ato janë një shërbim i radhës për Serbinë në negociata dhe se “nëpërmjet kësaj strategjie EULEX-i po mundohet ta diskreditojë Kosovën si dhe t`i japë përparësi morale Serbisë”. Vetëvendosje tha se “në kohën kur Kosova po lëngon nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë, EULEX-i e zgjodhi persekutimin e UÇK së”.
Arrestimet nga EULEX-i i ka dënuar edhe Lëvizja Qytetare `ZGJOHU`, duke i konsideruar si të papranueshme dhe spektakolare. `ZGJOHU` vlerëson se edhe pse dinjiteti i luftës së shqiptarëve është konfirmuar disa herë në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte si dhe nga vet komuniteti ndërkombëtar, autoritetet e EULEX-it vazhdojnë të ndërmarrin hapa për ta sfiduar këtë pastërti, duke ndjekur pandershmërisht, kushtëzimet dhe udhëzimet e Beogradit./koha/