Qeverisje pa zëvendësministra

Prishtinë, 20 mars -  Koha Ditore, sot në një shkrim më të gjatë shkruan se marrëveshjet për koalicion qeverisës nuk janë finalizuar ende. Sipas gazetës, Hashim Thaçi ende nuk ka arritur t’i finalizojë marrëveshjet për koalicionin qeverisës, të cilat i ka nënshkruar më 19 shkurt, me synim të krijimit të një qeverisjeje të qëndrueshme, efikase dhe në funksion të të gjithë qytetarëve. Kabineti i tij qeveritar vazhdon të funksionojë pa asnjë zëvendësministër, ndonëse në bazë të kontratave të lidhura mes partnerëve qeverisës është dashur të emëroheshin së paku 14 zyrtarë të këtij niveli, vetëm nga radhët e partive që kanë pranuar të bashkëqeverisin me PDK-në. Koalicioni për Kosovën e Re ka marrë garanci se do t’i ketë tre zëvendësministra e po aq pret t’i ketë edhe Partia Liberale Serbe. Një zv. ministër më pak i është premtuar Listës “Rugova”, kurse Grupit 6+, i cili përfaqëson shumicën e partive të komuniteteve pakicë joserbe, i janë lënë gjashtë poste të zv.ministrave. Në marrëveshjet për koalicion qeverisës, Thaçi nuk i ka specifikuar postet që do t’i mbajë PDK-ja, mirëpo drejtues të kësaj partie kanë paralajmëruar se në kabinetin e tashëm qeverisës do t’i kenë së paku 15 zv. ministra. Në total numri i zv.ministrave parashihet të jetë 30.
Një nga drejtuesit e PDK-së nuk e ka përjashtuar mundësinë që emërimi i zv.ministrave të bëhet javën e ardhshme.
“Aktualisht janë duke u shqyrtuar emrat e kandidatëve për zv.ministra, dhe presim që emërimi i tyre të bëhet javën e ardhshme”, ka thënë zyrtari i lartë i PDK-së. Ai nuk e ka parë të arsyeshme që t’i përmendë emrat e atyre që mund të vijnë në këto poste pasi, sipas tij, në të kaluarën ka ndodhur që shefi i partisë në momentet e fundit ka bërë ndërhyrje në listat e kandidateve potencialë për poste të larta politike.
Zv.kryeministri Hajredin Kuçi nuk ka shprehur gatishmëri të flasë për këtë çështje.
“Vendos kryeministri”, ka qenë përgjigjja e tij e dhënë me SMS./kohanet/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat