Pas një debati të ashpër parlamentar, është miratuar projekt-tbuxheti i vitit 2011, i paraparë të jetë 1 miliard e 264 milionë euro. Mospajtimet më të mëdha u lidhen me privatizimin e aseteve të PTK-së që janë futur në një nen të këtij ligji...
Paraprakisht, gjatë seancës e cila zgjati deri në orët e mbrëmjes, është zhvilluar një debat i cili nxori në sipërfaqe dallime të thella ndërmjet pozitës dhe opozitës. Kryeministri Hashim Thaçi, pranoi se ka diskutime mjaft të vështira me FMN-në, në përpjekje për të arritur pajtueshmëri për rritjen e pagave që parashihet në buxhetin e vitit 2011.
“ Vendimi për rritje për paga ka qenë vendimi më i vështirë, një vendim i domosdoshëm dhe i përgjegjshme marrë parasysh gjendje e rëndë ekonomike në vend. Duhet ta instalojmë standardin e realizimin të premtimeve para qytetarëve”, tha kryeministri Thaci.
Projekt-buxhetin e ka arsyetuar ministri i Financave, Bedri Hamza, i cili ka theksuar se vota pro buxhetit është votë për përmirësimin e mirëqenies së mbi 70 mijë familjeve kosovare.
Projekt-buxheti u përkrah nga partitë që janë në koalicion, ndërsa pati reagime të ashpra nga opozita, e cila vlerësoi se projekt-buxheti është hartuar në përputhje me interesat dhe premtimet elektorale të kryeministrit.
Tani, që të bëhet funksional, ky dokument duhet të miratohet me shumicë votash para datës 31 mars, pasi të diskutohet edhe njëherë nëpër komisionet përkatëse./Rtklive/