Italia ndihmon Kosovën me 1.157.000 euro në lëmin e shëndetësisë
Prishtinë, 28 mars 2011 - Brenda vitit 2011, Qeveria italiane do ta ndihmojë Ministrinë e Shëndetësisë së Kosovës me projektin në vlerë prej 1.157.000 eurove në lëmin e ngritjes së kualitetit të shërbimeve shëndetësore, luftimin e infeksioneve intrahospitalore,
përmirësimin e sistemit të referimeve të pacientëve në tre nivelet e kujdesit shëndetësor dhe përmirësimin e furnizimit me barna të listës esenciale. Kështu u tha në takimin e sotëm të Ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani, me Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Michael Giffoni. Ministri Agani dhe Ambasadori Giffoni janë dakorduar për fillimin e zbatimit të kësaj Marrëveshjeje ndërshtetërore në lëmin e Shëndetësisë midis Italisë e Kosovës. Ministri Agani falënderoi Ambasadorin Giffoni për kontributin e jashtëzakonshëm të Qeverisë italiane për Kosovën, në veçanti për përmirësimin e gjendjes shëndetësore të popullatës së Kosovës. Agani i premtoi bashkëpunim të mëtejmë dhe afatgjatë Ambasadorit italian, mbështetur në Marrëveshjen e bashkëpunimit./kosova.com/