Megjithëse regjistrimi i popullsisë ka nisur në jug të Mitrovicës, drejtuesit e Komisionit Komunal për Regjistrim (KKR) bëjnë të ditur se regjistrimi nuk ka nisur në veri të qytetit dhe as në lokalitetet shqiptare në atë pjesë të Kosovës.
Për regjistrimin e popullsisë në veri të vendit përgjegjësinë e ka marrë Zyra për Shërbime Projektuese të Kombeve të Bashkuara (UNOPS). Ditë më parë zyrtarë të Serbisë kanë insiston që këtë regjistrim ta zbatojë UNOPS.
Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, njëherësh kryesues i KKR-së, tha se nga informacionet e para, në jug të qytetit regjistrimi ka nisur pa problem.
Mirëpo, sa i përket veriut, ai tha se qytetarët serbë në veri të Mitrovicës nuk kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e KKR-së. “Për veriun e qytetit duke përfshirë edhe komunat tjera në veri të vendit përgjegjësinë e ka marrë UNOPS-i”, tha ai.
Duke sqaruar më tej për ecurinë e këtij procesi në veri, Haziri tha se paraprakisht përgatitjet janë bërë që KKR-ja të merr përsipër regjistrimin e qytetarëve shqiptarë në fshatrat shqiptare të Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut si dhe lagjeve shqiptare në veri të Mitrovicës. Megjithatë sipas tij, UNOPS-i ka kërkuar ta ketë edhe këtë përgjegjësi.
Lidhur me këtë, ka reaguar Kuvendi i Komunës së Mitrovicës. “Me keqardhje morëm lajmin se banorët e fshatrave të komunave: Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, të banuara me shqiptarë si dhe lagjet e qytetit të Mitrovicës: Lagja e Doktorëve, Kodra e Minatorëve, Lagja e Boshnjakëve dhe Tre Rrokaqiejt, po ashtu të banuara kryesisht me popullsi shqiptare nuk do të përfshihen në procesin e regjistrimit nga ana e Komisionit Komunal për Regjistrimin e Popullsisë”.
Këshilltarët e KK së Mitrovicës kërkojnë nga KQR që të bëjë çdo gjë që është e mundur që ta lejojë regjistrimin e këtyre banorëve nga KKR, në mënyrë që mos të shkaktohen pakënaqësi nga popullsia e këtyre vendbanimeve, të cilat tani veç kanë filluar të shfaqen.
“Dihet se nga KKR në Mitrovicë janë bërë të gjitha përgatitjet për regjistrimin e popullsisë edhe të këtyre vendbanimeve, andaj nuk shohim ndonjë arsye që të pengohet realizimi i këtij procesi”.
Këtij shqetësimi i bashkëngjitet edhe Komisioni Komunal për Regjistrim i Komunës së Mitrovicës. /Telegrafi/