Sot nis regjistrimi i popullsisë

Për herë të parë pas 30 vjetësh nis regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në Kosovë, shkruan Bota Sot. Përfaqësues të institucioneve kompetente për regjistrim u kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në këtë proces të rëndësishëm. Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se regjistrimi i popullsisë është obligim i të gjithëve dhe se ky proces do të krijojë parakushte për një zhvillim të gjithëmbarshëm ekonomik dhe një mirëqenie sociale për të gjithë. Ndërsa, krysuesi i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku tha se Kosova fillon ta japë një provim të madh, sikurse edhe shtetet e tjera, sepse ky është edhe një standard tjetër ndërkombëtar për ata që synojnë integrimin në BE.

Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe i ekonomive familjare është cilësuar proces shumë i rëndësishëm edhe nga Kryeshefi Ekzekutiv i Entit të Statistikave të Kosovës, Ibrahim Shabani. Ky i fundit është shprehur se qëllimi kryesor i projektit të regjistrimit të popullsisë është që të mblidhen të dhëna të sakta mbi realitetin demografik, social dhe ekonomik të vendit dhe ka shtuar se “ me regjistrimin e popullsisë do të jetë më e lehtë që të hartojmë programet dhe të përpilojmë strategjitë e duhura për zhvillimin e vendit tonë”.Një ditë pa filluar procesi i regjistrimit, përfaqësues të përkatësive të ndryshme fetare kanë shprehur pakënaqësinë e tyre për sa i përket pyetjes rreth deklarimit të besimit fetar që është përfshirë në pyetësor.

Kisha Protestane Ungjillore e Kosovës ka publikuar nëpër disa të përditshme një reklamë përmes së cilës i ka ftuar qytetarët që të mos i përgjigjen kësaj pyetjeje, për të cilën gjë kjo ka marrë përgjigje pozitive edhe nga Avokati i Popullit, të cilit i kishte kërkuar sqarim. Nga na tjetër Kryetari i Komisionit Qendror për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, duke e komentuar veprimin e kësaj Kishe ka deklaruar se pyetësorët dhe pyetjet themelore që gjenden në formular janë të standardeve evropiane dhe mbështeten mbi bazat e demokracisë, pasi që çdo qytetar mund të deklarohet edhe për përkatësinë fetare.

Regjistrimi i popullsisë, ekonomive familjare dhe i banesave do të zgjasë deri më 15 prill, bënë të ditur Ekonomisti. Kurse në pjesën veriore të Kosovës është paralajmëruar se mund të ketë afat shtesë, por nuk është thënë se sa mund të jetë ai.

Qeveria e Beogradit vazhdon të këmbëngulë se komuniteti serb do ta bojkotojë këtë proces, nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre. Sekretari i së ashtuquajturës Ministri për Kosovën në Qeverinë e Beogradit, Oliver Ivanoviq, ka theksuar se serbët, të cilët jetojnë në Kosovë, do t’i përgjigjen pozitivisht regjistrimit të popullsisë, me një kusht: nëse regjistrimin e popullsisë e realizon Zyra për Shërbime Projektuese e Kombeve të Bashkuara (UNOPS) dhe jo institucionet e Kosovës.

 

Procesi i regjistrimit të popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare do të përmbyllet pas realizimit të një ankete të pasregjistrimit (PES) për të verifikuar vlefshmërinë e të dhënave të grumbulluara gjatë regjistrimit.

 

Regjistrimi i fundit i popullsisë së Kosovës është realizuar në vitin 1981.

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat