S’e dinë kush bisedon në emër të Kosovës

Ndonëse ka kaluar një muaj nga fillimi i bisedimeve me Serbinë, përfaqësuesit e Kosovës në këtë proces janë të panjohur për tri subjektet politike opozitare dhe për shumicën e organizatave të shoqërisë civile.

Informata rreth njerëzve që përfaqësojnë palën kosovare në bisedime ka qenë e pamundur të merren nga zyrtarët e qeverisë.

 

LDK-ja, “Vetëvendosja” e AAK-ja, si dhe OJQ-të: FOL e KPJ, e kanë të paqartë se kush tjetër, përveç Edita Tahirit, e përfaqëson Kosovën në bisedimet me Serbinë.

 

Anëtari i Kryesisë së LDK-së, Kujtim Shala, të hënën, është përgjigjur shumë shkurt rreth kësaj çështjeje.

 

“Jo, Nuk e dimë, nuk kemi informacion”, ka thënë ai.

 

Edhe sa u përket grupeve punuese, të përmendura nga ana e Qeverisë kosovare se do të përbëhen edhe nga përfaqësues të opozitës dhe shoqërisë civile, Shala ka theksuar se deri më tani nuk u është bërë asnjë ftesë.

 

Ne e kemi bërë të qartë se nuk shkojmë në grupe punuese, edhe sikur të ftoheshim. Ato janë grupe punuese qeveritare dhe nuk kanë të bëjnë me përfaqësim më të gjerë politik’, ka deklaruar ai.

 

Sikur në LDK, përgjigjen edhe në lëvizjen “Vetëvendosje”. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës nga kjo parti, Glauk Konjufca, i ka thënë gazetës se nuk ka marrë asnjë informacion zyrtar sa u përket përfaqësuesve të shtetit në bisedime. Ai ka treguar se ka parë në media se varësisht nga temat e diskutuara ka qenë përfaqësuesi i atij sektori.

 

Edita Tahiri, fillimisht pasi që ishte zgjedhur si kryesuese e delegacionit, neve na ka ftuar në takim por të cilin e kemi refuzuar”, ka treguar ai, duke shtuar se “për të qenë në grupe punuese apo diçka tjetër, nuk jemi ftuar, e që edhe po të ftoheshim do ta refuzonim për shkak të mospranimit të këtyre negociatave.

 

 Çështja e përfaqësimit kosovar mbetet e paqartë edhe për AAK-në.

 

“Ne realisht nuk kemi ndonjë njoftim zyrtar nga ana e Qeverisë së Kosovës, se kush e përfaqëson Kosovën në bisedime me Serbinë. Pos asaj që dihet se Edita Tahiri është shefe e delegacionit, nuk kemi ndonjë informatë, pos atyre që kanë dalë në media”, i ka thënë gazetës, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi.

 

Ai ka vlerësuar se Kosova në këto bisedime shkon e papërgatitur, pa një agjendë dhe pa një grup punues. “Pos që nuk e dimë agjendën ne që jemi jashtë procesit, konsideroj se as Qeveria nuk e di atë”, ka theksuar ai.

 

Sa u  përket ekipeve punuese, Isufi ka deklaruar se “ndonëse është keqpërdorur në media se do të ketë ekipe punuese me përfaqësim të gjerë, edhe nga opozita, edhe shoqëria civile, neve nuk na është drejtuar askush qoftë për të na njoftuar, apo për të na kërkuar bashkëpunim.

 

Edhe drejtori i Klubit për Politikë të Jashtme, Ylli Hoxha, ka thënë se ky klub nuk ka njohuri për njerëzit që e përfaqësojnë Kosovën në këtë proces.

 

“As ne si Klub për Politikë të Jashtme nuk kemi informacion zyrtar se kush është duke e përfaqësuar Kosovën në bisedime”tha ai. Hoxha ka shtuar se “por me sa kam parë janë dy këshilltarë, njëri i Editës dhe tjetri i Thaçit, që shkojnë zakonisht së bashku krah Editës. Ndërsa kam parë edhe se në disa takime varësisht prej temave që janë diskutuar ka qenë një zyrtar përkatës”. Ai ka bërë të dituar se KPJ-ja nuk është ftuar ndonjëherë për të marrë pjesë në ndonjë grup punues për bisedime.

 

Përfaqësimi i Kosovës mbetet i paqartë edhe për OJQ-në tjetër, FOL.

 

“As ne si përfaqësues të shoqërisë civile nuk e dimë se kush e përfaqëson Kosovën në këto negociata. Dhe, përveç Editës, nuk kam kurrfarë ideje se kush tjetër mundet me qenë aty”, ka theksuar drejtori i FOL-it, Ramadan Ilazi. Edhe ai ka mohuar të jenë ftuar nga Qqeveria për të marrë pjesë në ndonjë grup punues.

 

Në anën tjetër, me gjithë insistimin e gazetës, ka qenë i pamundur kontakti me zyrtarët qeveritar, apo edhe me shefen e delegacionit kosovar, Edita Tahiri.

 

 

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat