Ish-presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka deklaruar para pak minutash se është arritur marrëveshja për tejkalimin e ngërçit politik.
Ai ka thënë se marrëveshja mes tij, kryeministrit Hashim Thaci dhe lideri të LDK-së, Isa Mustafa, ka shmangur mbajtjen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.
“Koalicioni qeverisës do të vazhdojë, ndërkaq për tejkalimin e kësaj krize, jam tërhequr nga rikandidimi im për postin e Presidentit të Republikës”, ka thënë Pacolli, i cili një muaj pas marrjes së postit të Presidentit u tërhoq nga kjo pozitë, pasi Gjykata Kushtetuese mori vendim se ai ishte zgjedhur president në mënyrë jokushtetuese.
“Nuk do të rikandidoj, sepse nuk dua të përjetoj atë që kam përjetuar, sepse isha viktimë e gabimeve të të tjerëve, pra nuk dua të paguaj sërish për fajin e të tjerë. Sipas marrëveshjes së arritur, presidenti i ardhshmë nuk do të ketë mandat të plotë, por gjashtë deri në nëntë muaj, kohë kjo e mjaftueshme për të bërë reformat zgjedhore dhe ndryshimet kushtetuese”, tha Pacolli në një intervistë për RTK-në, duke bërë me dije se pas ndryshimit të Ligjit zgjedhor do të kandidojë serish për President.
Duke falënderuar faktorin ndërkombëtar për ndihmën e dhënë në arritjen e marrëveshjes, sidomos ambasadorin amerikan, Christopher Dell, Pacolli tha se më këtë marrëveshje edhe PDK-ja dhe LDK-ja janë pajtuar që të evitohen zgjedhjet e jashtëzakonshme. (ekonomisti)