Kuvendi i Kosovës nis votimin, 2 emra për President

PRISHTINE- Në Kuvendin e Kosovës, ligjvënësit kanë filluar të hedhin votat e tyre për kandidatet presidenciale, Atifete Jahjagën dhe Suzanë Novobërdaliun.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë shprehur mbështetjen e tyre për zonjën Jahjaga.

Lëvizja Vetëvendosje e ka kundërshtuar këtë kandidaturë dhe marrëveshjen e arritur dhe si rezultat ka braktisur sallën e Kuvendit. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk është deklaruar nëse favorizon ndonjërën nga kandidatet, por ka thënë se do të jetë e pranishme në sallë.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, para nisjes së votimit, i cili është i fshehtë, ka thënë se në sallë janë të pranishëm 101 deputetë.
Votimi për presidentin e vendit kërkon praninë e 2/3 të ligjvënësve brenda në sallë.

Në bazë të Kushtetutës, në garë për postin e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë; zgjedhja në këtë post bëhet me dy të tretat e votave gjatë dy raundeve të para të votimit, përderisa në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë.

Kriza e zgjedhjes së presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, nuk i kishte respektuar procedurat kushtetuese. Fillimisht, Pacolli pati rikandiduar për postin e presidentit, por ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës, andaj bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u përfshinë në bisedime me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Bisedimet triditore sollën si rezultat marrëveshjen që Behxhet Pacolli të tërhiqet, kurse Atifete Jahjaga të kandidohet si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për president.

Si pjesë e marrëveshjes u përfshi edhe pajtimi për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore dhe zgjedhje presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhje parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.

(d.b/BalkanWeb)

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat