Plagosen mes veti truprojat e Hajredin Kuçit dhe Fatmir Limajt

Mbrëmë rreth orës 23 e 30 minuta në Prishtinë ka pasur të shtëna armësh mes dy grupeve, ku si pasojë dy persona kanë marrë plagë të rënda. Burime të Agjencisë së Lajmeve Ekonomisti brenda Policisë së Kosovës,

bëjnë të ditur se të përfshirë në incident kanë qenë truprojat e zëvendëskryeministrit Hajredin Kuqit dhe nënkryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Fatmir Limaj. Gjendja shëndetësore e dy truprojave të plagosur, mbrëmë ka qenë e rëndë.

 

Policia e Kosovës nëpërmes një komunikate për media, njofton se janë arrestuar dy persona për tentim vrasje dhe shkaktim të rrezikut të përgjithshëm.

 

Sipas komunikatës nga hetuesit rajonal të Prishtinës, dy personat e arrestuar janë kapur për shkak të veprës tentim-vrasje (plagosje me armë zjarri) dhe shkaktim të rrezikut.

Rasti ka ndodhur në rrugën “28 Nëntori”, në lagjen Dardania në Prishtinë, ku një mosmarrëveshje në mes tyre ka eskaluar, deri në të shtëna me armë zjarri që për pasojë ka pasur plagosjen e dy personave.

“Të dyshuarit Xh. Krasniqi 46 vjeç dhe Sh. Morina 52 vjeç, gjenden në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë, për tretman mjekësor”, thuhet në komunikatën për media lëshuar nga Policia e Kosovës. Sipas tyre, tashmë gjendja të plagosurve është jashtë rrezikut për jetë, dhe ndaj të njëjtëve me autorizimin e prokurorit publik është shqiptuar masa e arrestit policor.

 

“Të njëjtit po sigurohen edhe nga ana e policisë dhe pas shërimit do të dërgohen në qendrën e paraburgimit në Prishtinë”, thuhet në komunikatë.

 

Hetuesit rajonal lidhur me rastin në fjalë kanë gjetur dhe konfiskuar dy revole, gjithashtu për sqarimin dhe zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes hetuesit kanë konfiskuar dhe dërguar për ekzaminim edhe dy automjete, njëra prej të cilave ka qenë e dëmtuar nga plumbi.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat