Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha të martën se greva e Shoqatës së Farmacistëve është një veprim i panevojshëm dhe që nuk i shërben tejkalimit të situatës së rëndë në sektorin farmaceutik te vendit.
Në një konferencë për media, të mbajtur në Ministrinë e Shëndetësisë, ministri Agani i njoftoi mediat se përkundër grevës së SHFK-së, barnatoret publike të institucioneve shëndetësore të vendit kanë vazhduar t’i furnizojnë institucionet me barna dhe material shpenzues dhe nuk është vërejtur ndonjë dëm i theksuar nga greva.
“Jemi koshient se ka shumë dobësi dhe mangësi në sistemin farmaceutik, të grumbulluara dhe akumuluara veçanërisht në 20 vjetët e fundit dhe, natyrisht, është e pamundur që me një shkop magjik për një periudhë të shkurtër të zgjidhen të gjitha problemet”, tha Ministri Agani.
Ai tha se MSH është duke punuar me të gjithë vendimmarrësit në sektorin e farmacisë, me AKPM-në si pjesë e saj, Shoqatën e Farmacistëve të Kosovës, Shoqatën e Distributorëve,dhe shoqatat e tjera relevante, në mënyrë që të gjenden zgjidhjet e duhura ligjore dhe rezultatet e para të këtij plani të MSH-së, ministri theksoi se do të mund të shihen në fillim të muajit qershor kur pritet që në Qeveri e pastaj edhe në Kuvendin e Kosovës të dorëzohet Ligji me ndryshime për Produktet dhe Pajisjet Medicinale.
Në ndërkohë, theksoi Ministri Agani, gjatë muajit prill dhe maj, MSh do të nxjerrë dy udhëzime të reja administrative që do të rregullojnë çështjen e ndjeshme të regjistrimit të barnave, të cilat për momentin nuk janë të regjistruara në Kosovë, dhe të cilat janë subjekt i kërkesës së qytetarëve.
Kreu i MSh-së tha se kjo ministri është e përkushtuar që Ligji i cili i rregullon marrëdhëniet me sektorin farmaceutik, të gjitha ligjet e kësaj fushe, të zbatohen me përpikëri, përfshirë edhe sanksionet që janë të përcaktuara në këto ligje dhe në këtë aspekt, dhe shtoi se “nuk kemi asnjë tolerancë për negociatë, por përkundrazi do të insistojmë që legjislacioni të zbatohet në mënyrën më të plotë dhe efektive brenda një periudhe sa më të shkurtër kohore”.
Ministri Ferid Agani e ritheksoi qëndrimin e MSH-së, kundër grevës së SHFK-së./zeri/