
"Kur bëhet fjalë për këto kërkesa, ne jemi shumë rigoroz dhe kontrollojmë çdo të dhënë, posaçërisht ato të dhëna të atyre që nuk kanë jetuar deri tani në Preshevë", ka deklaruar Bajrami, transmeton agjencia serbe FoNet.
Sipas Bajramit, ka qytetarë që kanë jetuar në Preshevë, pastaj janë shpërngulur në Kosovë, kurse tani dëshirojnë prapë të kthehen në Preshevë.
Edhe tek rastet tjera, shpjegon Bajrami, ka qytetarë që dëshirojnë të shfrytëzojnë mundësinë e liberalizimit të vizave dhe të udhëtojnë drejt shteteve të BE-së.
Sipas shefit të policisë, ka qytetarë që paraqiten në Preshevë, në bazë të kurorëzimit, por edhe këto kontrollohen detajisht.
Shefi i sektorit të policisë kufitare, Boban Gjorgjeviq ka deklaruar se rreth 20 emigrantë ilegalë kanë kërkuar azil në Serbi, dhe se sipas ligjit, ata janë dërguar në qendrën e siguruar për azil, mirëpo ata atje nuk janë lajmëruar kurrë, thekson ai.
"Kjo ka qenë arsye vetëm për të hyrë në Serbi dhe të vazhdojnë tranzitin pa ndonjë pasojë. Qëllimi i tyre është të udhëtojnë drejt Evropës Perëndimore", ka thënë Gjorgjeviq.
Ndërkaq, do theksuar se që nga liberalizimi i vizave me Bashkimin Evropian, në dhjetor të vitit 2009, e deri më tani nga Lugina e Preshevës janë larguar mijëra qytetarë shqiptarë të këtij rajoni.
Ky fluks i madh i migrimit të qytetarëve shqiptarë të Luginës pati shqetësuar edhe përfaqësuesit politikë, institucionalë dhe atë fetar në këtë rajon, duke apeluar tek qytetarët për mosmigrimin e tyre.
Me liberalizimin e vizave nga shtetet evropiane për Serbinë, shqiptarët e Luginës së Preshevës në numër të madh patën filluar të migrojnë në shtetet e BE-së, me shpresën për një jetë më të mirë. Liberalizimin e vizave sipas mendimit të disa të rinjve, ata e nënkuptonin si thyerjen e akullit të skamjes dhe të mjerimit./koha/