Vendimi për privatizimin e PTK-së së shpejti

Zyrtarë të institucioneve vendore thonë se do të vazhdojnë privatizimin e ndërmarrjeve publike. Ministri i Ekonomisë Besim Beqaj pohon se së shpejti do të procedojnë vendimin për privatizimin e Postë Telekomit të Kosovës, e njëkohësisht do të vazhdojnë procedurat për ndërmarrjet tjera publike. Edhe përfaqësuesit e asociacioneve ekonomike e përkrahin privatizimin e këtyre ndërmarrjeve, por kërkojnë që të zhvillohet proces efikas dhe transparent , raporton RTK.

 

Privatizimi i ndërmarrjeve publike do të vazhdojë së shpejti. Pas dhënies me koncesion të Aeroportit të Prishtinës, në radhë është privatizimi i Postë Telekomit. Ministri i Ekonomisë, Besim Beqaj, paralajmëron vazhdimin e procedurave, duke theksuar se procesi do të jetë transparent dhe në favor të ekonomisë vendore.

“Prioritet i ministrisë, të cilën do ta udhëheq, do të jetë vazhdimi i privatizimit. Do të procedojmë shumë shpejt me privatizimin e Postë-Telekomit të Kosovës, do të vazhdojmë me procedurat e filluara me herët në fushën e përgatitjes së distribucionit dhe projektet tjera të mëdha”, tha Beqaj.

Ministri Beqaj pohon se krahas planit për investime publike, që sivjet do të arrijnë në 600 milionë euro, parashihet edhe përfshirja e sektorit privat në zhvillimin e vendit.

“Privatizimi i këtyre ndërmarrjeve do ta ndihmojë zhvillimin ekonomik të vendit. Duhet të tentojmë që ta heqim nga koka që kjo është shitje e aseteve, të cilat realisht janë prioritet nacional, sepse flasim për ndërmarrje, që do të privatizohen, e që edhe më tutje do të punësojnë njerëz nga Kosova”, shto Beqaj.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit e përkrahin privatizimin e ndërmarrjeve publike. Sekretari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se ky proces është dashur të zhvillohet me hapa të sigurt e të qartë, që të përcaktohen procedurat dhe investitorëve t’iu lihet mundësia të fusin kapitalin e tyre në këto ndërmarrje.

“Mendoj që tani është koha e fundit që ta merr formën e vet, rrugën e vet dhe të përfundojë, me një strategji të qartë, e cila i dallon mirë kostot dhe benefitet e futjes së kapitalit privat në ndërmarrjet publike”, thotë Rukiqi.

Sipas Rukiqit, përshpejtimi i procesit të privatizimit të ndërmarrjeve publike, do të ndikojë dukshëm në rritjen e efikasitetit të atyre ndërmarrjeve, në reduktimin e korrupsionit, por edhe rritjen e cilësisë së shërbimeve./Paragrafi/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat