Pacolli, dokument me kërkesa Thacit

I emëruari për zëvendëskryeministër të parë, në Qeverinë e Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, deri të mërkurën do t’i dërgojë kryeministrit Hashim Thaçi një dokument me kërkesat e tij për detyrën e re.

Ai tha se dokumenti përcakton detyrat që ai dëshiron t’i realizojë në lidhje me njohjet dhe me sjelljen e investimeve në Kosovë. “Nëse nuk përfillen kërkesat e mia, atëherë nuk kam çfarë të kërkoj në qeveri”, tha Pacolli.

Nëse nuk përfillen kushtet e tij për përcaktimin e qartë të detyrave, Pacolli nuk do ta pranojë postin e zv/kryeministrit të parë. Ai ka përsëritur se nuk dëshiron t’ia marrë punën askujt dhe se ka përzierje kompetencash në politikën e jashtme, pasi që për këtë punë kujdeset edhe Edita Tahiri. Pavarësisht vendimit për veten e tij, Pacolli ka pohuar se AKR-ja do të vazhdojë koalicionin me PDK-në.

Paralajmëron njohje të reja

Pakistani, Bangladeshi dhe Sri Lanka janë tri shtete të Azisë Jugore, të cilat mund ta njohin së shpejti Kosovën.

Pacolli është i bindur për këto njohje pas vizitës që ka bërë në kapacitet privat në Islamabad, duke përmendur emrat e Pakistanit, Bangladeshit dhe Sri Lankës.

Ai thotë se i ka sjellë shumë njohje Kosovës dhe nuk do të ndalet në këtë drejtim.

Me gjithë paralajmërimet për njohje të reja, në Ministrinë Punëve të Jashtme nuk e komentojnë. Zëdhënësi i MPJ ka thënë se nuk mund të jepen deklarata sa u përket njohjeve pa i marrë notat verbale./shqipmedia/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat