Prishtinë, 28 prill - Kuvendi i Kosovës të enjten në seancën e rregullt plenare ka filluar shqyrtimin e një varg projektligjesh, në mesin e tyre edhe atë për noterinë.
Në rend dite të Kuvendit të Kosovë janë edhe shqyrtimi i Projektligjit për shërbimet e sigurisë private, për shoqëritë tregtare, për gjendjen civile dhe tregtinë e brendshme.
Po ashtu në shqyrtim do të jetë edhe plani i veprimit të Kuvendit për integrime evropiane për vitin 2011, si dhe miratimi i Rezolutës për procesin integrues të Kosovës në BE. Pas fillimit të punimeve të Kuvndit të Kosovës, kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka shprehur gatishmërinë për të informuar për të gjitha projektet kapitale. Ai të enjten para ligjvënësve ka folur për autostradën Vërmicë-Merdare, përkatësisht për segmentin nga Qafa e Duhlës në Arllat, për të cilin një ditë më parë Qeveria ka marrë vendim që të nisë shpronësimin e pronave nga do të kalojë kjo autostradë. Thaçi është përgjigjur në këtë rast, në çështjen e ngritur nga opozitarët, të cilët kanë thënë se nuk ka transparencë në këtë proces.
Thaçi u ka sqaruar deputetëve se me ndryshimin e trasesë do të kursehen 350 milionë euro dhe do të shtohen vetëm 7 minuta kohë. Ai ka thënë se mjetet e kursyera do të përdoren për projekte tjera të rëndësishme. "Jam i gatshëm që të informojë të gjitha projektet, por ju lutem mos i kundërshtoni se janë në interesin e qytetarëve të vendit", ka thënë Thaçi.