Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë përcaktuar sot që të propozojnë që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro.
Në takimin e organizuar në Odën Ekonomike të Kosovës përfaqësuesit e komunitetit të biznesit janë informuar se me Ligjin e Punës, i cili ka hyrë në fuqi me 16 dhjetor të vitit 2010, në nenin 57, është paraparë Paga Minimale.
“Konform këtij Ligji si faktor bazë për llogaritjen e Pagës Minimale janë paraparë: kostoja e shpenzimeve jetësore (shporta e konsumit), përqindja e shkallës së papunësisë, gjendja e përgjithshme në tregun e punës dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend”, ka thënë Zineta Daci, këshilltare e kryetarit të Odës.
Ajo ka theksuar se Oda Ekonomike e Kosovës, e cila përfaqëson interesat e punëdhënësve, si partner në dialogun social, së bashku me Qeverinë e Kosovës dhe sindikatat, duke pasur parasysh, punëdhënësit, do të kanë barrën kryesore në aplikimin e vendimeve të qeverisë, ka vendosur, që të diskutohet rreth kësaj çështjeje dhe të propozohet sa do të jetë paga minimale në Kosovë, për vitin 2011.
“Ky propozim duhet të jetë i pranueshëm dhe i aplikueshëm, së pari për juve e pastaj edhe për Qeverinë e Kosovës. Si përfaqësuesi i juaj, jemi të vetëdijshëm me çfarë vështirësi po ballafaqoheni gjatë procesit të afarizmit, por, jemi zotuar të gjithë, që do të ndërtojmë një shtet ku do të sundojë dhe do të respektohet ligji”, tha Daci.
Duke informuar të pranishmit se propozimi i sindikatave, ishte, që paga minimale të jetë 250 euro në muaj, ajo tha se si përfaqësuese e Odës ishte kundër këtij propozimi, duke insistuar se duhet ndarë dëshirat prej mundësive, prej gjendjes reale.
Punëdhënësit janë akorduar që paga minimale në Kosovë të jetë 170 euro.