Pacolli ia mësyn Afrikës

Kur pyetet Behgjet Pacolli se si e shpjegon ai faktin që Kosova nuk është njohur nga asnjë shtet qëkur janë konstituuar institucionet e reja nga zgjedhjet e fundit, ai nuk i përgjigjet asaj pyetje hiç.

Pacolli vetëm shmanget dhe nis të tregojë se cila pjesë e botës do të jetë stacioni i tij, ku ka për të kërkuar që të njihet Kosova.  
Kështu ka qenë edhe të dielën, kur Pacolli, ka treguar se fundi i javës së ardhshme do të shënojë edhe fillimin e një misioni lobues të tij tashmë i veshur si zëvendëskryeministër, për njohjen e Kosovës në kontinentin e Afrikës. 
“Unë para dy ditëve e kam marrë postin e zëvendëskryeministrit dhe misionin e lobimit do ta filloj. Nga fundi i javës së ardhshme unë do t’ia mësyj rrugës sime, do të jem në Afrikë dhe do t’i vizitoj disa shtete në veriperëndim të këtij kontinenti”, ka thënë Pacolli.    
Ky zëvendëskryeministër nuk ka dashur të zbulojë vendet që do t’i vizitojë.  
“Unë nuk do t’i kisha përmendur tani këto shtete, pjesa tjetër (Serbia v. j.) është duke zhvilluar një aktivitet të kundërt me atë të Kosovës, por këto shtete të Afrikës janë vende tek të cilat unë jam i përqendruar dhe aty do të jem”, ka thënë ai.   
Pacolli ka dashur të besojë se me t’u kthyer në Prishtinë nga ky aksion mundi ka për t’iu shpërblyer. 
“Por unë duhet të udhëtoj, duhet të shkoj në vend dhe mbas kthimit tim do të jetë çdo gjë e qartë. Unë besoj që procesi i njohjeve të Kosovës do të fillojë”.   
Që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt të vitit 2008, Kosovën e kanë njohur gjithsej shtatëdhjetë e pesë vende. Njohja e fundit ka ardhur më 4 shkurt të këtij viti nga Sulltanati i Omanit. 
E që nga konstituimi i institucioneve të reja të Kosovës më 22 shkurt, Kosovën s’e ka njohur asnjë vend. 

Ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ka thënë se Kosova mund të mbetet pa adresë të politikës së jashtme shkaku i shumimit të faktorëve institucionalë në këtë fushë, pas emërimit të Behgjet Pacollit zëvendëskryeministër i ngarkuar për sjellje të njohjeve dhe investimeve të huaja. “Politika e jashtme është një plan veprimi i një qeverie, ndërkaq diplomacia e një vendi është mekanizëm veprues i atij plani”, është shprehur ish-ministri i Jashtëm. “Kosova e ka Ministrinë e Jashtme, e ka rrjetin diplomatik që është solid dhe emërimi i shumë eksponentëve në politikë të jashtme vetëm sa për të akomoduar fraktura politike është gabim i madh, që kam drojën se Kosova shumë shpejt mund të mbetet pa adresë në politikën e jashtme, gjë që edhe ashtu disa qarqe të jashtme duan që Kosova të mos ketë politikë të jashtme dhe kjo mënyrë e trajtimit të politikës së jashtme do t’u ndihmojë pikërisht atyre”.

Por zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli e ka kualifikuar të paarsyeshme frikën e Hysenit. “Unë e kam punë  time, unë nuk besoj se ka ndonjë ngatërrim të funksioneve këtu”, ka thënë ai.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat