Skenderaj, 2 maj - Komandanti i KFOR-it, gjeneral Erhard Buhler, pasditen e se hënës ka vizituar vendet historike në territorin e komunës së Skenderajt. Serinë e vizitave ai e ka filluar në Prekaz me homazhe në varrezat e Jasharëve, dhe vizitë kullave të Tahir Mehës e Ahmet Delisë, mandej varrezave në Likoshan e Rezallë, si dhe Kompleksin Memorial të UÇK-së në Marinë dhe Shtabin e UÇK në Likoc.
I pari i KFOR-it, pas homazheve para varrit të komandantit legjendar, Adem Jashari, ka thënë para medie se është në “vizitë përkujtimore që t’i kujtojmë viktimat e kësaj lufte të tmerrshme që ka ndodhur. Pata dëshirë që duke i vizituar këto vende thjeshtë t’i kujtojmë viktimat e luftës dhe natyrisht se pata dëshirë të informohem personalisht për rrënjët e konfliktit”, ka deklaruar Buhler, i cili në një fjali ka përdorur termet “luftë” dhe “konflikt”.
Interesimi i gazetarëve pastaj është fokusuar në veri të Kosovës ku vazhdon të jetë situate e tendosur dhe si po vepron KFOR-i në këtë situatë. “Herë pas herë ka tensionime, mirëpo ne nuk duhet ta bëjmë gjendjen e sigurisë më të keqe se që është. Në përgjithësi gjendja e sigurisë në Kosovë është e mirë, mirëpo kjo nuk do të thotë që ne nuk jemi të gatshëm të reagojmë në çdo kërcënim të gjendjes së sigurisë”, ka treguar komandanti i KFOR-it.
I pyetur për ekzistimin e strukturave paralele, të cilat i pohojnë edhe zyrtarët serbë, e ka pranuar edhe vet Buhler. “Është e qartë se kemi struktura paralele atje dhe të gjithë e dine këtë, mirëpo kjo nuk është pyetje që duhet t’i bëhet KFOR-it, por nëse ekzistojnë grupe që vërtetë e kërcënojnë gjendjen e sigurisë, atëherë bëhet temë për KFOR-in i cili do të reagon”, ka thënë ai.
Në konstatimin se në veri të Mitrovicës ka pasur edhe hedhje bombash në shtëpitë e shqiptarë, i pari i KFOR-it ka thënë se nuk do ta përcaktoja përkatësinë etnike të këtyre sulmeve. “Ka pasur sulme edhe të serbët, por megjithatë them se është fjala për struktura kriminele ku vërtetë janë multietnike dhe nuk do të bëja dallime me këtë rast”, është përgjigjur Buhler.
Lidhur me vrasjen e Bin Ladenit dhe shtimin e nivelit të sigurisë në Kosovë, ai ka thënë se “masat tona të sigurisë janë asisoj që ne në çdo kohë mund t’i mbrojmë objektet tona”.
Të gjitha vendet ku i ka vizituar mysafiri i lartë ka marrë shpjegimet e duhura, në KP “Adem Jashari” nga ciceroni i Kompleksit, kurse në bendet tjera nga familjarët apo pjesëmarrësit përkatës të vendeve të vizituara. Gjenerali Buhler në të gjitha vendet ka nda nga një medalje të KFOR-it. Gjatë vizitës është shoqëruar nga udhëheqja komunale në krye me kryetarin e Komunës, Sami Lushtaku