Prishtinë, 4 maj – Qeveria e Kosovës është institucioni vendës që më së shumti e cenon lirinë e shtypit në Kosovë të cilën, sipas Asociacionit të Gazetarëve Profesionistë të Kosovës, është duke e cenuar edhe Ambasada Amerikane. Këto vlerësime janë nxjerrë nga një raport i publikuar nga AGPK-ja në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit, që është tre maji.
Sipas raportit të hartuar në bazë të anketave të bëra me gazetarë, del se nga gjithsej njëqind e një gazetarë shtatëdhjetë prej tyre e kanë identifikuar Qeverinë si cenuese të lirisë së shprehjes. Në vend të dytë janë radhitur partitë politike, ndërsa vendin e tretë e ka zënë gjyqësori. Ndërsa kanë pasuar prokuroria, EULEX-i dhe Ambasada Amerikane. Shefja e Sektorit për marrëdhënie me publikun, Emilia A. Puma, në Ambasadën Amerikane në një prononcim për “Kohën Ditore”, ndërkaq ka thënë se “SHBA-ja ka një histori të fortë të mbështetjes për mediumet dhe për lirinë e shtypit nëpër botë dhe në Kosovë. Ne mburremi me këtë histori”. Por në një konferencë për medie kryetari i AGPK-së, Arben Ahmeti, duke iu referuar raportit të hartuar nga përgjigjet e gazetarëve të anketuar, ka kritikuar Qeverinë dhe institucionet e tjera vendëse se deklarimet për transparencë dhe partneritet me media i kanë vetëm fjalë. Pasi që, sipas tij, janë pikërisht ato të cilat po e cenojnë lirinë e shtypit në vend. “Institucioneve në Kosovë duhet t’iu vijë turp për gjendjen në të cilën e kanë sjellë lirinë e shprehjes, e cila gjendje asnjëherë nuk po përmirësohet, por vetëm po degradohet. Atyre që më së shumti duhet t’u vijë turp janë ata të cilët vazhdimisht deklarohen se kanë partneritet me mediet e që është Qeveria e Kosovës, e cila është identifikuar nga çdo i dyti gazetar si cenuese e lirisë së gazetarëve”, ka thënë Ahmeti. Ndërsa ka shtuar se, përveç Qeverisë si cenuese janë identifikuar edhe partitë politike që, sipas Ahmetit, e shton problemin në lirinë e medieve. “Kjo e bën problemin edhe më serioz kur kihet parasysh se pushteti krijohet pikërisht nga këto parti politike dhe i bie që ne si gazetarë nuk duhet të presim për një përmirësim të performancës, sepse realisht pushteti është ai që po e cenon lirinë e shtypit”, është shprehur Ahmeti. Në raportin e AGPK-së, sipas gazetarëve të anketuar, varshmëria financiare e medieve është duke e ngulfatur lirinë e shtypit. Rezultatet e të intervistuarve tregojnë se shumica e gazetarëve kosovarë janë të kënaqur me mediet ku punojnë. Më tej thuhet se gazetarët kosovarë u janë përshtatur plotësisht politikave të medieve ku punojnë dhe shumica prej tyre kanë deklaruar të mos u ketë ndodhur kurrë që për shkak të mungesës së lirisë së shtypit të mos u publikohet/transmetohet ndonjë storie e tyre. Ndërsa disa gazetarë kanë thënë se u ka ndodhur disa herë që shkrimet apo kronikat e tyre të mos publikohen. Në raport theksohet se për shkak të mungesës së storieve që bien ndesh me gjendjen e lirisë së shtypit, gazetarët kosovarë janë treguar shumë vetëkritikë në këtë anketë. Shumica prej tyre mendojnë se edhe vetë njerëzit e këtij profesioni kanë një kontribut në cenimin e lirisë së shtypit. Aty thuhet se gazetarët nuk ndryshojnë nga shoqëria kosovare, e cila vlerësohet të jetë optimiste. Tetëdhjetë e një gazetarë kanë thënë se presin ndryshimin e gjendjes së lirisë së shtypit në Kosovë në pesë vitet e ardhshme, përkundrejt njëzet të tjerëve që kanë thënë se nuk presin ndryshime./Koha/