
Ata kritikuan edhe misionin e EULEX-it për rezultatet të pakta në vënien e rendit dhe ligjit.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kërkuan nga institucionet e rendit që sa më parë të vënë kontrollin në pjesën veriore të vendit. Fillimisht në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i PDK-së, Nait Hasani, që ishte edhe iniciues i debatit, e vlerësoi situatën e sigurisë të brishtë si pasojë e mungesës së sundimit të ligjit. Ai ishte mjaft kritik për punën e EULEX-it që sipas tij disa herë ka përdorur standarde të dyfishta duke toleruar krimin në veri të vendit si dhe në anën tjetër duke arrestuar ish luftëtarët e UÇK-së:
Por anëtarët e kabinetit qeveritarë e vlerësuan gjendjen e sigurisë të qetë dhe stabile por të brishtë në veri të vendit. Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi tha se presioni i Serbisë po ndikon që serbët e Kosovës të mos integrohen në institucionet dhe ky presion është i madh posaçërisht në veri.
Ndërkaq zëvendëskryeministri dhe ministër i Drejtësisë, Hajredin Kuçi e përmendi si prioritet të qeverisë edhe bartjen e kompetencave të EULEX-it te institucionet e vendit.
Në fillim të mbledhjes së sotme të Kuvendit të Kosovës, grupet parlamentare janë treguar unike në rastin e ratifikimit të gjashtë marrëveshjeve ndërkombëtare, duke i vlerësuar ato si shumë dobiprurëse për shtetin e Kosovës. Ndër marrëveshjet e ratifikuara është ajo ndërmjet qeverisë dhe Bankës Botërore që ka të bëjë me mbështetjen e politikave për përkrahjen e punësimit të qëndrueshëm, përmes së cilës Kosova do të përfitojë ndihmë buxhetore prej 55 milionë eurosh, 50 prej të cilave grant dhe 5 milionë kredi e butë./Bota Sot/