Arabia Saudite mbështet shtimin e njohjeve të Kosovës

Ditën e dytë të qëndrimit të tij në Mbretërinë e Arabisë Saudite, ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj është takuar me ministrin e Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, princin Saud Al-Faisal.

Hoxhaj ka falënderuar homologun e tij për kontributin e deritashëm. “Mbretëria e Arabisë Saudite i ka dhënë një mbështetje të fuqishme popullit të Kosovës në të kaluarën e saj, një mbështetje të fuqishme para, gjatë dhe pas luftës. Pas luftës, organizata të shumta të Arabisë Saudite kanë qenë të pranishme në Kosovë në rindërtimin e shtëpive dhe të xhamive të shkatërruara në luftë”, ka thënë Hoxhaj.
Në këtë takim, ministri kosovar ka informuar homologun e tij edhe për fuqizimin e pozitës ndërkombëtare të Republikës së Kosovës për njohjet e deritanishme, për anëtarësimin e saj në organizata të ndryshme politike, ekonomike dhe kulturore, si dhe për vendosjen e marrëdhënieve të mirëfillta me fqinjët.
“Kam falënderuar për qëndrimin shumë favorizues të Mbretërisë së Arabisë Saudite në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, si dhe në forcimin e subjektivitetit të Republikës së Kosovës në botën arabe”, transmeton MPJ e ZKosovës deklaratën e ministrit Hoxhaj.
Princi Saud Al-Faisal ka thënë se ai personalisht dhe Mbretëria e Arabisë Saudite kanë përcjellë për një kohë të gjatë zhvillimet politike në Kosovë, luftën e popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. Prandaj, Kosova është një shtet shumë i njohur për qytetarët e vendit tim”, ka thënë ai.
“Sikurse që kemi qenë në të kaluarën pranë popullit të Kosovës, do të jemi edhe në të ardhmen që ta mbështesim Republikën e Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve, sidomos në vendet që janë anëtarë të Ligës Arabe dhe të Konferencës Islamike”, ka shtuar ministrin i Jashtëm saudit.
Të dy ministrat janë pajtuar që të nënshkruhet një marrëveshje kornizë ndërmjet dy vendeve./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat