
Në projektin e Pacollit, siç shkruan sot “Koha Ditore”, thuhet se në rritjen ekonomike, që është realizuar kryesisht nga investimet e tepricës buxhetore të akumuluar, shfaqen dobësi të mëdha në transformimin e rritjes ekonomike, në zhvillimin nga i cili do të duhej të përfitonin të gjithë qytetarët.
“Modeli aktual i zhvillimit ekonomik ka nevojë të ndryshohet tërësisht. Ai duhet të përqendrohet në nxitjen e sektorit privat të ekonomisë, me theks thithjen e investimeve të huaja që sjellin punësim dhe zhvillim ekonomik të sigurt”, thuhet në projektin e Pacollit.
Njeriu që shijoi për disa javë postin e presidentit të vendit, ndërkohë që jep idenë e tij për ndryshime, ai nxjerr në shesh dështimet, e që “pa dashjen” e tij kanë për adresë udhëheqjen e partnerit të tij në koalicion, për më tepër që ky partner ka administruar vendin, të paktën në tre vjetët e fundit.
Agjencia e Privatizimit dhe ajo e Promovimit të Investimeve - të dështuara
Për Behxhet Pacollin, rritja e varfërisë dhe e papunësisë në kushtet e rritjes ekonomike është një problem serioz, që nuk është adresuar si duhet nga Qeveria, Kuvendi, por edhe nga aktorët e tjerë.
“Stabiliteti makroekonomik që konsiderohej si një rrethanë pozitive tani është i kërcënuar me deficitin buxhetor (9-11 për qind e GDP-së), deficitit të lartë tregtar (eksporti mbulon importin rreth 10 për qind) dhe situatës së rëndë sociale të të papunëve, pensionistëve, si dhe disa kategorive të shërbyesve publikë, me gjithë rritjen e rrogave në fillim të mandatit të kësaj Qeverie”, thuhet në memorandumin përshkrues për angazhimin e zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Behxhet Pacolli.
Sipas tij, Kosova mbetet një vend me ekonomi të pakonsoliduar. Si faktor i rëndësishëm në përcaktimin e kësaj gjendjeje është dhe mosintegrimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare, numri ekzistues i njohjeve, mosnjohja prej të gjitha vendeve të Bashkimit Evropian, etj.
“Kosova nuk merr pjesë në tregjet botërore të kapitalit. Kosova ka nivel të ulët të investimeve të huaja. Pesha e kapitalit privat në ekonomi mbetet ende e vogël, ai nuk është konkurrent dhe në shumicën e tij jo i formalizuar”.
Pacolli kritikon procesin e privatizimit, i cili në këtë projekt përshkruhet si përgjithësisht i dështuar.
“Agjencia e angazhuar për këtë punë ka dështuar të arrijë objektivat e veta. Edhe për ato ndërmarrje të privatizuara nuk po arrihet likuidimi, d.m.th transferimi në ekonomi i parave të arritura nga privatizimi, diçka që dëshmon dështimin e formulës”.
Edhe Agjencia për Promovim të Investimeve, për të është e dështuar. Faj për dështimet në sektorin ekonomik për zëvendëskryeministrin e parë kanë edhe institucionet e drejtësisë.
“Mungon një sistem i plotë efektiv i garancive ligjore për investimet e huaja, për kontratat, për të drejtat pronësore që në pjesën më të madhe të tyre mbeten në letër. Mungojnë stimujt e përshtatshëm ligjorë, rregullues për ta, sipas modeleve më të dëshmuara perëndimore. Mungojnë politika që të ulin koston dhe riskun e investimeve të huaja. Mbetet problem lufta ndaj korrupsionit. Sektori i prokurimit mbetet problematik dhe shumë kontrata me sipërmarrjen janë të negociuara dhe pa sens gare. Tregu i tokës ka probleme. Mungon infrastruktura fizike. Bujqësia që mund të ishte sektor tërheqës i ekonomisë mbetet e pazhvilluar. Sektori financiar nuk është efikas. Furnizimi me energji është problematik. Shërbimet që mund të ofrojë administrata publike në përgjithësi s’janë në nivelin e duhur”, thuhet në këtë projekt të Pacollit.
Gjakova dhe Mitrovica propozohen të kthehen në zona të lira ekonomike
Për të ndryshuar modelin e zhvillimit ekonomik të vendit, Pacolli kërkon të jetë në krye të Task Forcës së posaçme për nxitjen e investimeve të huaja, që do të koordinonte punët ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Tregtisë dhe të Industrisë dhe asaj të Punëve të Jashtme.
“Zëvendëskryeministri i parë i Qeverisë mund të luajë një rol të rëndësishëm në nxitjen e investimeve të huaja me suksese të dukshme brenda këtij mandati të Qeverisë”, thuhet në projektin e Pacolli me të cilin thuhet se është pajtuar edhe Thaçi.
Në këtë kuadër ai ka të drejtë të propozojë në kabinet projektligje dhe projektvendime që synojnë krijimin e kushteve të reja ligjore, infrastrukturore, pronësore, të shërbimeve për investimet e huaja, si dhe përmirësimin e imazhit të Kosovës.
Gjatë mandatit të tij si zëvendëskryeministër ai synon të rikonceptojë Agjencinë për Investime, krijimin e Zyrës së Ombudspersonit për investimet e huaja pranë zëvendëskryeministrit, si dhe krijimin e një inspektorati që mbikëqyr ecurinë e investimeve të huaja dhe lehtëson funksionimin e tyre.
Në plan të Pacollit janë edhe reformat në fushën e drejtësisë dhe reformimi sa më i shpejtë i Agjencisë së Privatizimit.
“Në rastet kur investitorët e huaj kanë interes për një aset që administrohet prej Agjencisë së Privatizimit, atëherë të parashikohet ligjërisht se ai mund të kalojë në administrimin e Agjencisë për Promovimin e Investimeve”, thuhet në planin e Pacollit.
Plani parasheh që në Bordin e Agjencisë së Privatizimit të dërgohet një përfaqësues i Task Forcës së tij.
Në koordinim me Zyrën e zëvendëskryeministrit të parë parashihet të krijohet një institucion privat i angazhuar për gjetjen në tregun e punës së profesionistëve, zanatçinjve, që kërkohen prej investitorëve të huaj.
Ai pret që në afat të shkurtër të hartohet dhe miratohet ligji për zonat e lira ekonomike në territorin e Kosovës, fillimisht dy, përkatësisht në Gjakovë dhe Mitrovicë.
Për të realizuar projektin e tij, Pacolli ka kërkuar një staf administrativ prej rreth 10 personave, si dhe të ketë të drejtë të mbështetet në shërbimet e stafit të Ministrisë së Drejtësisë, asaj të Jashtme, të Tregtisë dhe të Industrisë etj./Koha/