19:00 Lëvizja Vetëvendosje ka dhënë versionin e saj për bilancin e dëmeve të shkaktuara ndaj tyre. Në një njoftim të kësaj lëvizjeje thuhet se gjatë përdorimit të dhunës së Policisë ndaj protestuesve, janë lënduar Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nystret Azemi, Blerim Maqastena, Luan Hoti, Shabi Kodra, Masar Shala dhe Naim Jakaj, të cilët janë dërguar në Emergjencë. Ndërkohë, aktivisti Deni Rakoci është i lënduar në kokë.
“Policia hodhi gaz lotsjellës dhe sprej. Shumë aktivistë janë të lënduar. Në mesin e të lënduarve janë edhe Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Policia ka goditur edhe autoambulancën me gaz lotsjellës dhe po pengon evakuimin e të lënduarve. Ndërkaq janë arrestuar aktivistët: Abdyl Osmani, Albion Rexhepi dhe Azbi Gashi, të cilët gjithashtu janë të lënduar rëndë”, thuhet në njoftim.
18:40 Të paktën deri para përfundimit të takimit Stefanovic – Tahiri, protesta e sotme e Lëvizjes Vetëvendosje ka rezultuar me 15 policë të lënduar dhe gjashtë protestues, gjithsej 21, njofton Policia.
Sipas policisë në protestë morën pjesë rreth 400 persona, një pjesë e të cilëve, 50 deri në 60 protestues kanë qenë të dhunshëm dhe kanë përdorë mjete të forta, ngjyrë, gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, duke shkaktuar dëme materiale.
Si pasojë e këtyre veprimeve 15 zyrtarë policorë kanë marrë lëndime trupore, prej tyre dy janë lënduar rëndë dhe janë nën kujdesin mjekësor.
Ndërkohë, merret vesh se në QKUK gjashtë persona kanë kërkuar ndihmën mjekësore ku pesë prej tyre janë liruar pasi kanë marrë trajtimin mjekësor ndërsa një është ende duke u trajtuar.
Para ndërtesës së Qeverisë, ku po zhvillohet takimi Tahiri-Stefanovic, vazhdon të ketë forca Njësisë Speciale të Kosovës.
18:21 Ka vazhduar edhe pas orës 18:00 takimi në qeverinë e Kosovës ndërmjet Edita Tahirit dhe Borko Stefanovicit. Situata paraqitet e qetë, dhe përreth objektit qeveritar ka vetëm forca të Njësisë Speciale të Kosovës dhe gazetarë.
16:40 Lëvizja Vetëvendosje e ka vazhduar protestën e saj edhe tek ndërtesa e qeverisë në sheshin "Nëna Tereze", duke thyer edhe atje xhama të qeverisë. Policia sërish ka ndërhyrë duke përdorur gaz lotsjellës.
16:16 Borko Stefanovic ka mbërritur në ndërtesën e re të qeverisë dhe është pritur nga këshilltari i kryeministrit, Lirim Grejcevci, për të vazhduar më pas në takim me homologen e tij, Edita Tahiri.
15:20 Në mesin e të lënduarve nga gazi lotsjellës janë edhe drejtuesit e Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe Glauk Konjufca. Sipas Vetëvendosjes, Policia ka goditur edhe autoambulancën me gaz lotësjellës dhe po pengon evakuimin e të lënduarve.
14:30 Aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje para pak çastesh ka nisur të thyejë makinat zyrtare qeveritare, duke thyer xhamat e tyre, pranë ndërtesës qeveritare. Ka intervenuar Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, dhe së paku 5 aktivistë janë lënduar. Policia ka përdorur gaz lotsjellës. Takimi ndërkohë ka vazhduar të mbahet në ndërtesën qeveritare. Emrat e personave të lënduar që janë dërguar në Emergjencë: Gëzon Kastrati, Astrit Fazliu, Zgjim Hyseni, Veton Dragusha, Nystret Azemi dhe Naim Jakaj
14: 14 Negociatori serb, Borko Stefanovic para pak çastesh është parë të hyj në ndërtesën e re të qeverisë, ku brenda saj po e pret ministri i Drejtësisë, njëherësh zv/kryeministër, Hajredin Kuçi.
11:57 Lëvizja Vetëvendosje nuk është ndalur vetëm me kundërshtimin për t’u takuar me kryesuesin e delegacionit serb për bisedime me Kosovën, Borko Stefanovicin. Një orë para se të arrij në Prishtinë, kjo lëvizje është vënë në aksion për t’ia pamundësuar hyrjen zyrtarit të qeverisë serbe në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës.Ardhja e zyrtarit serb është paralajmëruar të bëhet rreth orës 13:00. Ai pritet të ketë takime me zyrtarë qeveritarë të Kosovës. /Indeksonline/