Policia inicion hetime për dëmtim prone

Policia e Kosovës bën bilancin e protestës së djeshme të organizuar nga Vetëvendosje para ndërtesës së re të Qeverisë. Në protestë kanë marrë pjesë rreth 400 persona, por rreth 50-60 nga ta thuhet se kanë qenë të dhunshëm.

Nga Express më 13 maj 2011 në ora 15:05

Pesëmbëdhjetë policë të lënduar, gjashtë protestues që kërkuan ndihmën mjekësore, 18 vetura të dëmtuara dhe dëme të tjera materiale, është bilanci i protestës së djeshme të organizuar para ndërtesës së re të Qeverisë, kundër vizitës së kryenegociatorit serb, Borko Stefanoviq në Prishtinë.

Një ditë pas protestës, Policia e Kosovës ka njoftuar se në konsultim me Prokurorinë ka iniciuar procedurën hetimore për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtim prone dhe është e angazhuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve të përshirë në dhunën e djeshme.

Sipas policisë, në protestë kanë marrë pjesë rreth 400 persona. “Rreth 50-60 persona nga ta kanë qenë të dhunshëm. Ata kanë përdorur mjete të forta, ngjyrë dhe gurë, të cilat i kanë hedhur në drejtim të objektit të qeverisë dhe veturave zyrtare, me ç’rast në masë të konsiderueshme është shkaktuar dëmtim i pasurisë publike”, thekson policia, nëpërmes një komunikate shtypi.

“Si pasojë e këtyre veprimeve, 15 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore. Prej tyre, tre janë lënduar rëndë (lëndime trupore si fraktura, plagë të hapura, ndrydhje etj) dhe janë nën kujdesin mjekësor”.

Në anën tjetër, sipas Qendrës Klinike Universitare, gjashtë persona nga radhët e protestuesve kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Policia thotë se për të parandaluar veprimet e tilla dhe pasojat nga këto veprime është dashur të përdorë gazin lotsjellës dhe ndërkohë ka arrestuar dy protestues, të cilët pas konsultimit me prokurorin, janë liruar në procedurë të rregullt.

Veprimet e dhunshme, sipas policisë, kanë vazhduar edhe para objektit të Qeverisë dhe Parlamentit dhe si rrjedhojë e veprimeve të tilla deri tani janë regjistruar këto dëme materiale:

Si pasojë e gjuajtjes me gurë dhe mjete të tjera të forta janë dëmtuar 18 vetura; një numër i xhamave të ndërtesës së Qeverisë janë thyer nga hedhja e mjeteve të forta; si dhe janë dëmtuar disa pajisje policore (helmeta, mburoja etj) .

Policia e Kosovës konfirmon se në konsultim me Prokurorinë ka iniciuar procedurën hetimore “për prishje të rendit dhe qetësisë publike dhe dëmtim prone” dhe është e angazhuar intensivisht në identifikimin e të dyshuarve të përshirë në këtë rast.

Nga ana tjetër, deri më tani thuhet se nuk ka ndonjë indikacion të tejkalimit të autorizimeve policore nga reagimi i djeshëm policor në mbrojtje të jetës dhe të pronës së qytetarëve. Sidoqoftë, Policia e Kosovës është duke shqyrtuar të gjitha raportet policore rreth përdorimit të forcës së domosdoshme dhe proporcionale.

Policia e Kosovës thekson se çdoherë respekton të drejtën e garantuar për protestë, por nuk do të tolerojë veprimet e dhunshme ku rrezikohet jeta e qytetarëve ose e zyrtarëve policorë ose dëmtohet prona private apo publike.


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat