
Pikërisht këto kushte që ishin përshkruar nga ish-shefi i Shërbimit Juridik në Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që udhëhiqte edhe Gjykatën Ushtarake, Sokol Dobruna, Prokuroria pretendon se janë shkelur në burgun e Kleçkës, për të cilin dyshohen tashmë 10 ish-pjesëtarë të UÇK-së, në krye me Fatmir Limajn, i njohur me nofkën e luftës “Çeliku”.
Në një dokument udhëzues të lëshuar nga Sokol Dobruna, që e ka siguruar “Koha Ditore”, përshkruhen të gjitha të drejtat e të paraburgosurve. “Personat e gjinive të ndryshme nuk duhet të qëndrojnë në të njëjtin vend. Sipas rregullave, në dhomën e njëjtë mund të mbahen personat që kanë kryer një akt të njëjtë penal. Nëse njerëzit që kanë përsëritur disa herë, nëse do të ishte e mundur, nuk do të duhej të vendoseshin në dhomën e njëjtë me personat e tjerë që janë të privuar nga liria”, thuhet në pikën e parë të udhëzimit.
Burime nga Prokuroria Speciale kanë thënë se ky udhëzim që tashmë administrohet nga prokurorët si provë nuk është respektuar në asnjë nga burgjet e improvizuara në kohën e UÇK-së. “Unë kur po dëgjoj se sa krimet qenkan bërë, vërtetoj se është e pamundur që të gjitha ato të bëheshin pa ditur unë. Dhe ato janë veç fantazi e dikujt, thjesht fantazi e dikujt. Më vonë do të dalë e vërteta historike se ky është duke fantazuar. Ka ardhur në Ushtrinë Çlirimtare zotëria i tij, ka mbajtur shënime e ka shkruar çka ka dashur. Shiko, po shkrova ditar unë dal Skënderbe, shqiptar jam. Shkruaj çka dua, për këdo që ia kam inati”, ka thënë Sokol Dobruna, për të shtuar se Fatmir Limaj nuk ka shpirt krimineli. /indeksonline/