Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso dhe komisioneri Stefan Füle arritën sot për një vizitë në Kosovë. Në Aeroportin e Prishtinës ata u pritën me nderimet më të larta shtetërore nga zëvendëskryeministri i vendit, Hajredin Kuçi. Në Prishtinë ata zhvilluan takime me presidenten Atifete Jahjaga, dhe me kryeministrin Hashim Thaçi.
Pas takimeve kryetari Barrorso dhe kryeministri Thaçi para gazetarëve mbajtën një konferencë shtypi.Kryetari i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso shprehu mbështetje për perspektivën evropiane të Kosovës, ndërkaq porositi zyrtarë vendorë që të vazhdohet me reforma të thella dhe të shpejta.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot kryetarin e Komisionit Evropian, Jose Manuel Durao Barroso dhe Komisionerin Stefan Füle.
Kryetari Barroso e përgëzoi Presidenten Jahjaga për zgjedhjen e saj në krye të vendit dhe shprehu besimin se do të ketë rol të rëndësishëm në afrimin e Kosovës drejt BE-së, njofton Departamenti i Informacionit dhe Komunikimit me Publikun i Presidencës. Ai tha se Kosova tash e ka mundësinë më të mirë për progres nëpërmjet reformave të brendshme. Në veçanti, reformat në fushën e sundimit të ligjit, ngritjes së bashkëpunimit në mes të Qeverisë dhe Kuvendit në hartimin dhe adoptimin e ligjeve dhe sigurimi i reformës së ligjit zgjedhor, duke përfshirë sanksionimin e shkelësve të ligjit, janë prioritete. Zbatimi i reformave të brendshme është i rëndësishëm edhe për fillimin e dialogut për liberalizimin e vizave.
Në sferën e sundimit të ligjit z. Barroso tha se në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, BE-ja i jep mbështetje të plotë misionit të EULEX-it në Kosovë dhe inkurajoi që institucionet e Kosovës ta bëjnë të njëjtën.
Ai shtoi se shtetet anëtare të BE-se i kushtojnë rëndësi të veçantë dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke cekur se normalizimi i marrëdhënieve të fqinjësisë është një prej kushteve themelore në rrugën e Kosovës dhe Serbisë drejt Bashkimit Evropian.
Z Barroso e ftoi Presidenten Jahjaga në vizitë zyrtare në Bruksel.
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, e falënderoi z. Barroso për vizitën duke thënë se është e përkushtuar të punojë me institucionet dhe shoqërinë në fushën e rendit dhe të ligjit, me qëllim të arritjes së rezultateve efektive në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Presidentja konfirmoi se qëllimi i saj është të shtyjë përpara agjendën evropiane në Kosovë. Ajo kërkoi heqjen e referencës 1244 ndaj Kosovës nga ana e Brukselit si dhe domosdoshmërinë e fillimit të marrëveshjeve kontraktuale me BE-në. Marrja e udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave do të ndihmonte agjendën evropiane të Kosovës dhe reformat e brendshme.
Presidentja Jahjaga shtoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe ndryshimit të ligjit zgjedhor do të vazhdojë. Ajo konfirmoi se dialogu Kosovë-Serbi është i rëndësishëm.
Në fund, Kryetari i Komisionit Evropian z. Barroso dhe Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga u pajtuan se në muajt e ardhshëm pritet punë intensive për avancimin e agjendës evropiane nga ana e institucioneve të Kosovës.
Pas takimit me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi, Barroso nuk iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve mirëpo tha se qëllimi i vizitës është të shprehet angazhimi i fuqishëm i tyre për perspektivën evropiane të Kosovës. Ai tha se Komisioni Evropian do të vazhdojë të mbështesë Kosovën me ndihmë substanciale financiare.
Mirëpo, sipas tij, që Kosova të jetë pjesë e BE-së duhet të ndërmarrë reforma të thella dhe t’i përmbush standardet që kërkohen nga Bashkimi Evropian. Barroso po ashtu shprehur qëndrimin se Kosova duhet t’i respektojë marrëveshjet e nënshkruara me FMN.
Presidenti i institucionit të BE-së që merret me përmbushjen e kritereve si për procesin e liberalizimit, ashtu edhe për procesin e integrimit porositi Qeverinë e Kosovës që të angazhohet për përmirësimin e jetës që qytetarëve të saj dhe zbatimin e kritereve që kërkohen nga BE-ja.
Sipas tij është në interesin e qytetarëve të Kosovës të vazhdohet me reforma, ndërsa pohoi se Komisioni Evropian do të vazhdojë të fuqizoj marrëdhëniet me institucionet e Kosovës.
Ai shprehu qëndrimin se e ardhmja e Kosovës varet nga vet populli i saj, ndërsa Komisioni Evropian ndodhet këtu për të ofruar ndihmë. Barroso shprehu besimin se Kosova do të tregoj lidership të denjë për t’i arritur synimet.
Ndërkaq, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi shprehu zotimin e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e kritereve të Bashkimit Evropian.
Ai tha se vizioni i shtetit të Kosovës është integrimi evropian, ndërsa vlerësoi se Kosova me të drejtë kërkon dhe meriton të jetë pjesë e procesit integrues.
Kreu i ekzekutivit kosovar tha se presin avancimin e këtij procesi, marrjen e Udhërrëfyesit etj.Thaçi premtoi se do të vazhdojnë me qeverisjen e mirë, luftën e pakompromis të dukurive negative etj. Ai vlerësoi po ashtu se do të vazhdohet me bashkëpunimin e shkëlqyeshëm me shtetet fqinje si dhe shprehu besimi në rezultate konkrete nga bisedimet me Serbinë./koha/