
Ky veprim i qeveritarëve të vendit, nga opozita dhe analistët, shihet si njëra nga goditjet më të rënda që pushteti i jep administratës së vendit, me çka sipas tyre, jo vetëm që po dëmtohen institucionet, por edhe e ardhmja e tyre. Zëdhënësi i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Fidan Jupolli, thotë se kjo parti ka qëndrim të qartë se përkrah secilin emërim që i kontribuon profesionalizimit dhe zhvillimit të administratës, por jo emërimeve politike që e dëmtojnë shtetin.
“LDK-ja përkrah emërimet, kur ato janë bërë mbi baza profesionale dhe jo partiake siç i kemi parë deri më tash, kur të merret parasysh fakti se detyra dhe roli i sekretarit të përhershëm është shumë i ndjeshëm”, thotë Jupolli.Ai kujton se njëra nga vërejtjet e përhershme të bashkësisë ndërkombëtare është politizimi i administratës, çështje kjo që, sipas tij, i bën dëm të madh administratës shtetërore. Deputetja e Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albulena Haxhiu, thotë se me formën se si po zgjedhën sekretarët e ministrive, Partia Demokratike e Kosovës po arrin që të ndërhyjë thellë në administratën shtetërore.
“Emërimi si sekretar permanent i një anëtari të lartë të partisë bëhet kryesisht për të ushtruar ndikimin politik nëpër ministri deri tek asistentët administrativë, për të mbuluar të palarat gjatë udhëheqjes së ministrive nga PDK-ja apo partitë tjera në koalicion”, thotë anëtarja e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Haxhiu.
Ndërsa anëtari i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, thotë se kjo parti insiston që në qeverisje të ndahen rolet.“Të emëruarit politikë duhet të kenë një rol, ndërsa administrata të jetë e pavarur, pasi që me dekada duhet të krijohen kapacitete që mundësojnë funksionimin e shtetit”, thotë Tahiri.Por, më ndryshe mendon ministri i Ministrisë së Administratës Publike, Mahir Jagxhillar, i cili shprehet i bindur se gjithçka është duke u bërë sipas Ligjit të Shërbimit Civil dhe Rregullores për Emërime të Larta.
Ai nuk e mohon fakton se ndonjëri nga kandidatët e zgjedhur të ketë “preferenca partiake”, por sipas tij, asnjë sekretar i ri nuk mban pozitë të lartë në një subjekt politik, që bie ndesh me nenin 17 të Ligjit të shërbimit civil, i cili e ndalon që një person të mbajë pozitë të lartë në administratë dhe njëkohësisht të mbajë pozitë të lartë në një parti politike.
“Vërtet është vështirë të gjesh një person që nuk ka preferenca politike, por duhet të zbatojmë ligjin, i cili e precizon se sekretari nuk duhet të jetë zyrtar i lartë i një partie politike dhe nuk duhet të jetë aktiv në politikë”, thekson ai.Ministri që drejton dikasterin që merret me administratën e institucioneve thotë se ekzekutivit kosovar do t’i duhen edhe disa muaj për ta përmbyllur procesin e zgjedhjes së sekretarëve të përhershëm dhe kryeshefave të ndryshëm. Kjo do të ndodhë, ngase deri më tash janë zgjedhur vetëm dy sekretarë të dy ministrive (Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Kulturës), ndërsa nëpër këtë “rrugë” duhet të kalojnë edhe dhjetëra dikastere qeveritare dhe agjenci të ndryshme.
Pas zgjedhjes së sekretarit të Ministrisë së Drejtësisë dhe asaj të Kulturës, Ministria e Administratës Publike është duke u marrë me zgjedhjen e shefit të administratës së Ministrisë së Arsimit, Ministrisë së Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik dhe Ministria e Punëve të Brendshme, ndërsa pas këtyre institucioneve do të vazhdohet me dikasteret tjera./zeri/