
Sipas kreut të LDK-së, Qeveria Thaçi tregoi prirjet e tij të njohura për të keqpërdorur njerëz nga institucionet e pavarura të Kosovës, të cilat u ndërtuan me mund gjatë kësaj periudhe, për të burgosur, luftuar dhe paralizuar kundërshtarët politikë të tij. Dëshmoi se me çdo kusht dhe me mjete jodemokratike do që ta ruajë pushtetin e fituar me votën e abuzuar dhe të blerë, dhe se për ta ruajtur sundimin, sakrifikon marrëveshjet me institucionet ndërkombëtare, përfshirë edhe Fondin Monetar Ndërkombëtar. Qeveria Thaçi 2, në këtë periudhë, ngriti pagat e rreth 70 mijë shërbyesve civilë dhe profesionalë, por, në të njëjtën kohë, ushqeu inflacionin dhe keqësoi standardin jetësor për mbi 2 milionë banorët të Kosovës.
Në 100-ditëshin e kësaj Qeverie, Fondi Monetar Ndërkombëtar u deklarua qartas se heq dorë nga Marrëveshja kontraktuale me përftim për Kosovën, që shkaktoi mosshfrytëzimin e 110 milionë eurove të premtuar nga FMN-ja, 50 milionë eurove nga Komisioni Evropian dhe 20 milionë eurove nga Banka Botërore. Në vend të kësaj, Kosova do të ketë status monitorimi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, si vend me qeveri që nuk u përmbahet marrëveshjeve ndërkombëtare. Karshi këtij vendimi, Ligji mbi Buxhetin i aprovuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet një dokument i paqëndrueshëm, sepse më nuk ekzistojnë burimet e konsiderueshme të parapara të këtij buxheti, tha ndër të tjera Isa Mustafa, duke vlerësuar 100 ditëshin e Qeverisë Thaçi 2.
Mustafa e ka vlerësuar të dështuar Qeverinë Thaçi 2, në 100 ditshin e parë, përderisa nuk ka hezituar t’i quaj ‘të paskrupullt’ njerëzit që janë në krye të kësaj qeverie. Ai ka thënë se në krye të Qeverisë së Kosovës janë njerëz që tentojnë të mashtrojnë për çdo gjë. “Qeveria Thaçi është qeveri e prangave, që synon gjithçka për veten dhe që nuk ka përmbushur asnjë nga premtimet që i ka bërë”, ka thënë Mustafa, duke theksuar më tej se e vetmja gjë që ka bërë kjo qeveri për kryeqytetin e Kosovës është burgosja e zyrtarëve të saj.
Ai ka akuzuar Qeverinë për burgosjen pikërisht të atyre zyrtarëve që kanë punuar, duke ua lëshuar në qafë Policinë e Kosovës. “Unë e mbështes punën e Policisë së Kosovës, por nuk pajtohem që strukturat informale të udhëheqin me shtetin e Kosovës”, ka thënë mes tjerash Mustafa.
Duke folur për bisedimet me Serbinë, Mustafa tha këto janë në favor të Serbisë dhe në dëm të Kosovës.
Ndërkohë, kryetar i komunës së Prishtinës, njëherësh edhe i LDK-së, si pozitive e vlerësoi marrëveshjen e arritur me kryeministrin Hashim Thaçi dhe drejtuesin e AKR-së, Behgjet Pacolli për tejkalimin e situatës politike, duke zgjedhur presidente Atifete Jahjagën./koha/