Rreth 30 mijë maturantë të shtunë po i nënshtrohen provimit shtetëror të maturës në disa qendra të vendit. Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës ka bërë të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet që provimi të mbahet në të gjitha shkollat e Kosovën.
Sivjet për herë të parë do t’i nënshtrohen provimit të maturës edhe maturantët serbë. Ministria e Arsimit ka paralajmëruar se ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura që ky proces të administrohet me sukses. Pyetësori është hartuar nga Komisioni përkatës dhe përbën 100 pyetje, ndërsa kalueshmëria është paraparë 50 për qind përgjigje të sakta.
Tri risitë që e karakterizojnë procesin e sivjetmë të maturës shtetërore janë kyçja e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës (UP), provimi do të mbahet kryesisht në hapësira të mëdha përfshirë këtu edhe ato të UP-së, dhe nxënësit që kalojnë me sukses këtë sprovë dije, nuk do të kenë nevojë të hyjnë në provim pranues për regjistrim në Fakultetin e Shkencave Matematikore -Natyrore, Fakultetin e Bujqësisë dhe atë të Makinerisë.
Testi do të mbahet në 101 qendra dhe fillon njëkohësisht në të gjitha qendrat dhe zgjat 180 minuta.
I tërë procesi do të mbështetet edhe nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, të cilët do të qëndrojnë jashtë objekteve ku testohen nxënësit. /Telegrafi/