Në Mitrovicë zbulohen 8 mbetje mortore

Në kuadër të hulumtimeve të varrezave masive, në varrezat myslimane, që ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës, gjatë fundjavës janë gjetur tetë mbetje mortore. Lajmi është konfirmuar nga drejtuesit e Shoqatës së familjarëve të të pagjeturve “Zëri i prindërve”, si dhe Zyra për persona të pagjetur në Qeverinë e Kosovës, njofton KosovaLive.

Drejtuesit e Shoqatës së familjarëve të të pagjeturve “Zëri i prindërve” pohojnë se ka kohë që ata kanë insistuar që të bëhet hulumtimi në atë lokacion, pasi që është dyshuar për varrezë masive të personave të kidnapuar nga forcat serbe gjatë luftës në Kosovë.

“Në varrezat e myslimanëve janë varrosur trupat të personave të arrestuar e kidnapuar në luftë nga forcat paramilitare e ushtarake serbe, ndërsa këto dyshime u konfirmuan me faktin se atje u zhvarrosen tetë trupa të pajetë”, thotë Bajram Çerkini, drejtues i shoqatës “Zëri i prindërve”.

Me këtë rast ai edhe njëherë ka akuzuar ekspertët e Mjekësisë Ligjore të cilët në vazhdimësi po e anashkalojnë shoqatën në fjalë, duke mos e njoftuar fare për fillimin e hulumtimit të vendit të dyshimtë, ndonëse informatat e para rreth dyshimeve i kanë marrë nga ta.

Në bazë të informatave që ka shoqata “Zëri i prindërve” dyshohet se në atë lokacion mund të gjenden edhe trupat e nëntë personave të tjerë të pagjetur, ndërkohë që jozyrtarisht bëhet e ditur se të martën do të vazhdojnë punimet në atë vend.

Drejtuesit e shoqatës edhe njëherë kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare e vendore që të ndërmarrin masa që të zbardhet fati i personave të pagjetur dhe të mos luhet me ndjenjat e familjarëve që kërkojnë më të dashurit e tyre, fati i të cilëve vazhdon të mbetet enigmë.

Ndryshe në Komunën e Mitrovicës numri i të pagjeturve mbetet ende mbi 100 sish, derisa shumica e lokacioneve të dyshuara për varreza masive ndodhen në pjesën veriore të Mitrovicës dhe Kosovës./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat