Pajtohet me ndërmjetësin e BE-së, Cooper

Delegacioni kosovar ka zhvilluar një telekonferencë me ndërmjetësin Robert Cooper. Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri ka thënë se pala kosovare ka rënë dakord me propozimet e BE-së për marrëveshjet, të cilat mund të arrihen gjatë qershorit apo korrikut. Por, mbetet ende i paqartë qëndrimi i palës serbe.

Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në bisedimet Kosovë-Serbi, Rober Cooper, ka biseduar edhe për koordinimin e datave dhe agjendën e raundit të ardhshëm, që pritet të mbahet në fund të qershorit.

Një ditë më herët, ai të njëjtën e ka realizuar edhe me palën serbe.

Udhëheqësja e ekipit kosovar në bisedime, Edita Tahiri ka konfirmuar të enjten për Express se kanë rënë dakord me propozimet evropiane dhe, sipas saj, në këtë linjë pala kosovare do të punojë për realizimin e marrëveshjeve.

“Për sa u takon propozimeve, ato shkojnë në një linjë konstruktive për të krijuar mundësinë që të realizohet lëvizja e lirë, tregtia e lirë, gjithnjë duke u bazuar në parimet evropiane.

Po ashtu, sa u takon çështjeve të energjisë, propozimet janë të bazuara në parimet e traktatit të Athinës për energjinë, të cilat janë të pranueshme sepse ne si shtet po aspirojmë në BE, prandaj edhe parimet e BE`së janë të pranueshme”, ka thënë Tahiri.
Për sa u takon çështjeve të telekomunikacionit, ajo ka thënë se kanë biseduar që platforma të jetë mbi bazën e një mekanizmi evropian për rregullimin e telekomunikacionit.

“Sa i takon kthimit të dokumentacionit kadastral dhe regjistrave civilë, kemi diskutuar pra për mënyrën e verifikimit të dokumentacioneve që kanë mundur të ndodhin ndryshim të të dhënash në periudhën njëmbëdhjetë-dymbëdhjetë vjeçare që janë mbajtur në Beograd. Pas verifikimit do të kemi marrëveshje për t`i kthyer dokumentet”, tha Tahiri.

Por, ende nuk dihet nëse Kosova mund të marrë kopjet origjinale të këtyre dokumenteve.
“Këto janë opsione në tavolinë, varësisht nga procesi i verifikimit, atëherë do të vendosim”.

Tahiri ka folur po ashtu edhe për mundësinë që gjatë takimit të qershorit apo më së largu atij të korrikut, të mund të arrihen marrëveshjet.

Robert Cooper ka pasur një telekonferencë të mërkurën edhe me palën serbe, të ngjashme me këtë telekonferencë me palën kosovare dhe tani, pas marrjes së propozimeve nga të dyja palët për datën e bisedimeve, do të caktojë atë dhe së shpejti pritet të konfirmohet zyrtarisht. /Telegrafi/


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat