Universitetet e “Thaçit” mbeten veç fjalë

Premtimet e kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për hapjen e universiteteve publike në pothuaj secilin qytet të madh të vendit janë vënë në pritje, për shkak të mungesës së mjeteve financiare, kanë bërë të ditur zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës.

Sipas tyre, edhe pse do të ketë vonesa në jetësimin e këtyre projekteve, ato nuk mund të interpretohen si heqje dorë nga zotimet për themelimin e institucioneve të reja të arsimit të lartë, në qendrat kryesore të vendit.

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës, Ramë Buja, është shprehur i bindur se kryeministri Thaçi do ta mbajë fjalën e dhënë para qytetarëve të komunave përkatëse. 

“Këto premtime do të materializohen. Problem mund të jenë limitet kohore për shkak të lëvizjeve buxhetore. Megjithatë ne do të ecim në drejtim të përmbushjes së këtyre premtimeve”, ka thënë Buja për “Kohën Ditore”. 

Sipas tij, themelimi i universiteteve të reja është pjesë e angazhimeve të Ministrisë së Arsimit dhe ekzekutivit në përgjithësi, për të kanalizuar energjinë e rinisë në dije, me qëllim të krijimit të kuadrove që do të jenë konkurrente jo vetëm në tregun vendës e rajonal, por edhe atë evropian dhe në këtë formë të ndihmojnë transformimin e Kosovës në një shoqëri të dijes. 

Këtë synim e ndajnë edhe ligjvënësit e Kosovës, të cilët deri tani nuk kanë pranuar asnjë shkresë nga ekzekutivi në lidhje me planet për themelimin e universiteteve të reja. Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës dhe njëherësh nënkryetar i Komisionit parlamentar për arsim, kulturë, rini, sport, administratë publike, qeverisje lokale dhe media, Enis Kervan, ka pohuar se në këtë trup legjislativ nuk është sjellë asnjë propozim, e si rrjedhojë edhe nuk ka pasur debat mbi nevojën e krijimit të institucioneve të reja të arsimit të lartë. 

“Komisioni parlamentar për arsim nuk ka zhvilluar ndonjë debat mbi planet për hapjen e universiteteve të reja publike. Edhe me rastin e themelimit të Universitetit të Prizrenit, Qeveria kishte sjellë një vendim politik. Prandaj ndoshta edhe në këto raste e përcjellin praktikën e njëjtë”, ka thënë Kervan.    

Në anën tjetër, ekspertët nga fusha e arsimit kanë tërhequr vërejtjen se shtimi i numrit të universiteteve publike nuk ofron zgjidhjen e duhur për arsimimin kualitativ të të rinjve në Kosovë, ngase edhe dy universitetet ekzistuese, në Prishtinë e Prizren, ballafaqohen me vështirësi si në aspektin e kushteve të punës ashtu edhe në cilësinë që e ofrojnë. Madje njohësit e zhvillimeve në arsimin kosovar si sfidë kryesore e përmendin mungesën e kuadrit akademik, që do të duhej të angazhohej në këto institucione, ndërkohë që si të papërballueshme e cilësojnë edhe koston financiare të funksionimit të disa universiteteve publike./koha/

 


Lajme tjera

Error: No articles to display

Më të lexuarat